Shkëndija e Tetovës ka regjistruar një fitore të rëndësishme në Conference League, duke e mposhtur Slovan Bratislavën me rezultat 2:0 në ndeshjen e zhvilluar sonte.
Epërsia ka ardhur në minutën e tridhjetë e tretë pas një episodi të pafat për mysafirët. Kenan Bajriç, në tentim për ta larguar topin me kokë brenda zonës së vogël, e ka devijuar në portën e tij, duke e çuar Shkëndijën në avantazh 1:0.
Në minutën e parë të kohës shtesë të pjesës së parë, Shkëndija e ka shënuar edhe golin e dytë. Sebastjan Spahiu ka marrë një pasim të shkurtër nga Ronaldo Webster, është futur në zonë dhe me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të djathtë e ka dyfishuar rezultatin në 2:0.
Në pjesën e dytë, Shkëndija e ka menaxhuar mirë lojën dhe nuk lejoi Slovanin të rikthehet, duke siguruar tri pikë.
Pas kësaj fitore, Shkëndija ngjitet në pozitën e tetëmbëdhjetë në tabelën e Conference League, megjithatë renditja mund të ndryshojë pasi sonte luhen edhe disa ndeshje të tjera të kësaj gare.

