Historia, në rrokullisjen e saj, bekon kombet dhe shoqëritë me individë të shquar që me veprën e tyre sjellin dritë. Një prej tyre është Shkëlzen Gashi.
Ai sjell të vërteta, ndjenja pa sentimentalizëm, rrëfime e deklarata të ndjera që i japin zë kujtesës kolektive dhe ndërgjegjes sonë historike. Ai sjell të vërteta jo përmes shifrave por përmes emrave.
Libri i tij “Masakrat në Kosovë 1998–1999” nuk është një botim që jep konture, por përmbajtje, dokument, fakt dhe vërtetësi.
Në faqet e tij nuk ka mjegullnajë por dritë mbi krimet, mbi dhimbjen dhe mbi realitetin që s’mund të fshihet as me heshtje dhe as me harresë.
Shkëlzeni, me këtë vepër, na ka nxjerrë të gjithëve nga rendi konform i përditshmërisë, për të na shkundur nga letargjia morale e shpirtërore.
Ai nuk na zhvendos nga gjeografia, por na shkund historinë dhe gjenealogjinë, duke na vënë përballë alter egos sonë kolektive – asaj që shpesh shmanget të shohë në sy të vërtetën.
Ky libër është një akt guximi intelektual dhe moral, një kujtesë që flet përmes dokumenteve, por që prek shpirtin përmes humanizmit.
Në kohë kur e vërteta shpesh relativizohet, Shkëlzeni na kujton se drejtësia fillon nga emërtimi i saktë i krimit dhe nga respekti për viktimën.
Falënderim të veçantë për Shkëlzen Gashin, për gjithçka që ka bërë, sidomos për rikthimin e emruesit të përbashkët – Adem Demaçit, figurën që qëndron në ADN-në e Universitetit të Tetovës si pikë referimi e rezistencës, e dinjitetit dhe e qëndresës kombëtare.
Dhe faleminderit, Shkëlzen, që zgjodhe – në fakt, që zgjodhëm ne – ta promovosh librin tënd dhe të vërtetën tonë, në Tetovën që ka qenë gjithmonë zemra e hapur e Kosovës dhe e kosovarëve.
Sepse e vërteta, sado e dhimbshme, është forma më e lartë e dashurisë ndaj jetës dhe drejtësisë.
Prof. Dr Vullnet Ameti

