Shinasi Hallaçi, një personalitet që nuk duhet harruar kurrë
SHKRUAN: NEHAT JAHIU
Që nga fëmijëria ime kisha dëgjuar nga më të moshuarit për shumë personalitete njerëzish të kombit shqiptar që kishin kontribuar për çështjen kombëtare, e sidomos një numër prej tyre aq shumë kishin kontribuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore për arsimin shqip dhe hapjen e shkollava në gjuhën shqipe, saqë sot është turp të mos mbajnë shkollat tona edhe emrat e tyre.
Ata ishin pishtarët e parë të arsimit shqip në të gjitha trevat tona, por në këtë rast, në këtë paraqitje të shkurtër, do të ndalem tek arsimi shqip në Kumanovë dhe rrethinë, ku në mungesë të kuadrit në atë kohe shumë mësues kishin ardhur nga të gjitha trojet tona për të dhënë kontributin e tyre në proçesin edukativo-arsimor, dhe për të mbjellur farën e diturisë në gjuhën e tyre amtare te nxënësit e kësaj popullate, ku dihet se në atë kohë kishte një numër të madh të analfabetëve, e kjo ishte si rezultat i mungesës së shkollave shqipe.
Nga kjo periudhë janë shumë personalitete që nuk duhet harruar. Diçka është shkruar për hapjen e shkollave shqipe në Kumanovë dhe rrethinë, konkretisht kemi edhe disa libra nga autorë të ndryshëm, e që me këtë rast unë personalisht u jam shumë mirënjohës atyre, por besoj se ka nevojë të hulumtohet edhe shumë më tepër dhe të shkruhen edhe shumë e shumë libra, dhe të njejtat të ngelin në arkivat e historisë sonë kombëtare, konkretisht në historinë e arsimit shqip, dhe këto fakte të njihen dhe dihen edhe nga gjeneratat e reja që do të vijnë brez pas brezi.
Në këtë rast zgjodha ta prezentoj njërin nga personalitetet që ka lënë një biografi dhe veprimtari të bujshme si atdhetar, por mbi të gjitha edhe në arsimin shqip.
Ky atdhetar, dhe e gjithë familja e tij arsimdashëse, aq shumë kanë dhënë kontribut për çështjen kombëtare, saqë do të ishte mëkat i madh nëse i lëmë në pluhurin e harresës; pra, duhet t’i përkujtojmë ata një nga një, dhe të shkruajmë libra e libra për to.
Të nderuar lexues, në këtë rast vendosa të shkruaj shkurtimisht, por me shpresë se në të ardhmen nga dikush tjetër do të shkruhet edhe më gjerësisht për këtë personalitet që kishte dhënë kontributin e tij në kohërat edhe më të vështira për atdheun, kombin dhe popullin e tij.
Pra, në këtë rast zgjodha t’ua prezentoj një biografi të shkurtër të njërit prej tre vëllezërve (djemtë) e Jashar Kadri – Hallaçit, njërit nga intelektualët e mirënjohur që kontribuoi për arsimin shqip në të gjitha trevat tona, e ai është djali i dytë i tij, pra Shinasi Jashar Hallaçi.
Shinasi Jashar Hallaçi lindi në vitin 1922 në Preshevë nga një familje atdhetare dhe patriotike, siç ishte edhe babai i tij Jashar Hallaçi, vëllezërit e tij Selamiu dhe Hulusiu.
Shinasiu shkollën fillore e kreu në fshatin Tabanoc edhe ate në gjuhën sërbokroate, ndërsa shkollën e mesme e kishte filluar në Medresen e Madhe në Shkup. Gjatë fillimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1941, ai do e ndërpresë shkollimin e tij në Shkup dhe do të transferohet në Prishtinë për të vazhduar shkollimin e tij, gjegjësisht në normalen “Sami Frashëri”. Në këtë shkollë në atë kohë mësimi zhvillohej në gjuhën amtare shqipe.
Gjatë vitit 1942 Shinasiu do e ndjek kursin pedagogjik të mësuesisë në normalen e Prishtinës ku edhe e mbaron me sukses, dhe merr çertifikatën e mësuesisë nga Ministria e Arsimit të Tiranës, dhe po në këtë vit, ai emërohet si mësues në fshatin Pozheran të Gjilanit.
Pas një kohe, nga Pozherani do të transferohet në Shtime të Republikës së Kosovës, për të kryer edhe këtu misionin e tij të mësuesisë. Aty diku nga viti 1944, mësuesi Shinasi Hallaçi do të gjendet në komisionin për evidentimin e nxënësve shqiptarë të Kumanovës për vijimin e tyre në shkollë me mësim në gjuhën amtare shqipe.
Me hapjen e parë të shkollës shqipe në qytetin e Kumanovës “Bajram Shabani”, gjatë vitit shkollor 1945/46 do të inkuadrohet në procesin edukativo-arsimor edhe mësuesi Shinasi Hallaçi, si njëri ndër të parët e mësuesve të kësaj shkolle shqipe.
Në vitin 1946/47, Shinasi Hallaçi së bashku me babain e tij Jashar Hallaçi (Hafëz Jasharin) do të vazhdojnë të kryejnë misionin e profesionit të mësuesisë në fshatin Mateç.
Mësuesi Shinasi Hallaçi për shkak të bindjeve të tij atdhetare do të jetë pengesë nga pushteti i asaj kohe, dhe aty diku në fund të vitit 1949 burgoset dhe e vuan burgun famëkeq me 3 vite në “Goli Otok”.
Pasi kishte kryer dënimin e vuajtjes së burgimit të tij, mësuesi Shinasi Hallaçi kërkonte dhe dëshira e tij ishte që ai përsëri t’i kthehej shkollës, nxënësve dhe profesionit të tij, të cilin e donte me shpirt, por që një kërkesë dhe dëshirë e tillë nuk iu realizua nga pushteti, dhe kështu që, pas një pauze nga procesi arsimor në vitin 1953 do të pranohet të punojë si mësues në fshatin Llojan të komunës së Likovës, dhe pas një viti nga fshati Llojan mësuesi Shinasi do të transferohet në fshatin Vaksincë, ku pastaj më vonë edhe në fshatin Mateç.
Pas një kohe, mësuesi Shinasi Hallaçi do t’i kthehet vendlindjes së tij – Preshevës, dhe aty do të punojë si arsimtar i gjuhës frenge. Mësuesi, atdhetari dhe veprimtari Shinasi Hallaçi ishte edhe një këshilltarë shumë i mirë dhe poliglot, ku njihte shumë gjuhë të huaja. Ai ndërroi jetë në Preshevë në vitin 1997.
Gjatë shkollimit tim, në shkollën e mesme në Preshevë, shumë herë e kisha takuar këtë atdhetar, veprimtar, këtë personalitet, i cili tërë jetën ia përkushtoi atdhetarizmit dhe misionit të tij të mësuesisë, që aq shumë e deshi.
Edhepse gjithë kohës ishte në përcjellje, i maltretuar dhe i burgosur; ai kurrë nuk ishte gjunjëzuar dhe nuk ishte larguar nga ideali i tij kombëtar.
Mbetet që për Shinasi Hallaçin dhe familjen e tij, të shkruhet një monografi për t’u përfshirë tërë biografia dhe veprimtaria e Jashar Hallaçit (Afëz Jasharit) dhe djemve të tij Selami, Shinasi dhe Hulusi Hallaçit.