Ka jetë edhe pa Bashkimin Evropian, por në BE është shumë më bukur. Kështu theksoi ministri i jashtëm i Polonisë, Radosllav Shikorski pas takimit në Varshavë me homologun e tij Timço Mucunski. Përfitimet brenda BE-së janë shumë të larta thotë Shikorski duke theksuar edhe nevojën e sigurisë më të lartë.

“Gjithsesi se ekziston jetë edhe jashtë Bashkimit Evropian por në Union është më bukur. Ne kemi fituar shumë e nga ana tjetër Britania e Madhe humbi shumë pasi doli nga BE-ja dhe është penduar për këtë. Dua t’ju bind se ia vlen sepse në fund hyni në një familje të qëndrueshme, e cila hap dyert e tregtisë, tregon solidaritet dhe është krejtësisht e kundërta nga ajo që e thonë nacionalistët, deklaroi Radosllav Shikorski – Ministër i Jashtëm i Polonisë.

Ministri Mucunski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit, por kërkon respekt dhe qartësi.

“Nuk ka asnjë dilemë se prioritet kemi anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Është një qëllim strategjik i pa realizuar i shtetit tonë. Rruga është shumë e ndërlikuar. Obligimi ynë është të zbatojmë reformat që janë në interesin tonë ashtu siç i kërkon Bashkimi Evropian. Angazhimi ynë është të ngelemi tërësisht të harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së sepse kjo politikë është sistem vlerash,” tha Timço Mucunski – Ministër i Jashtëm.

Një ditë më parë presidenti kroat Zoran Millanoviq pas takimit me presidenten Gordana Siljanovska Davkova, tha se Maqedonia e Veriut pa të drejtë po përballet me kushtëzime që nuk u janë vendosur vendeve të tjera. Tha se vendi vet të vendosë se çfarë është më e mirë për të pasi ka jetë edhe pa Bashkimin Evropian.

sqShqip