May 3, 2024
Kosovë

Shefi i NATO-s: Do të dërgojmë 700 trupa shtesë në Kosovë

NATO shton trupat e misionit ushtarak KFOR në veri të Kosovës, pas trazirave të dhunshme të së hënës në Zveçan, ku 30 pjesëtarë të saj u lënduan nga dhuna e serbeve që banojnë aty dhe disa elementëve të ardhur nga Serbia.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bëri të ditur se në veri të Kosovës do të dislokohen brenda dy javësh 700 trupa nga Forca Rezervë Operacionale për Ballkanin Perëndimor që ndodhen në Napoli dhe se një tjetër batalion është në gatishmëri.

“Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu kemi vendosur në gatishmëri një batalion shtesë, që të zhvendoset nëse duhet. Këto janë hapa për të garantuar se KFOR-i ka forcën dhe aftësinë për të vepruar sipas mandatit që e ka. Dhuna kthen Kosovën prapa e po ashtu të gjithë rajonin. I vendos në rrezik aspiratat euroatlantike. Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin hapa konkret për t’i ulur tensionet. Të frenohen nga veprimet e papërgjegjshme e të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është rruga e vetme”.

Stoltenberg ka dënuar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan të hënën, duke thënë se ai ishte i paprovokuar dhe duke e quajtur të papranueshëm.

Një ditë më parë nga dhuna e serbëve u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it. Mes grupit të dhunshëm u identifikua edhe një polic serb nga Rudara.

Ndryshe nga e hëna, protesta e së martës ishte më e qetë dhe me një pjesëmarrje më të ulët të serbëve. Trupat e KFOR-it rrethuan me tela me gjemba përreth komunës, duke krijuar një perimetër sigurie.

Qytetarët e Leposaviçit i bënë thirrrje kryetarit Lulzim Hetimi të lërë zyrën dhe të ikë në shtëpi. Veç largimit të Policisë së Kosovës, ata kërkojnë edhe lirimin e dy serbëve të arrestuar një ditë më parë.

Por nuk munguan incidentet. Disa serbë të maskuar sulmuan gazetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, që u detyruan të vraponin.

Protesta u mbyll pasditen e së martës, ndërsa Lista Serbe njoftoi sërish se do të mblidhen të mërkurën.

Policia e Kosovës e cilëson situatën e qetë, por të brishtë, duke ftuar qytetarët të mos bien pre e thirrjeve për protesta të dhunshme.

Tv Klan