Portet e Greqisë janë një nga terrenet më pak të njohura, por më të nxehta të përballjes së madhe strategjike në zhvillim mes Amerikës dhe Kinës. Parlamenti i Athinës autorizoi më 27 nëntor zgjerimin e moleve dhe kantiereve detare të Elefsinës, qytet industrial 20 kilometra në lindje të Athinës, që në vitin 2023 ishte blerë nga kompania amerikane Onex. Grupi amerikan ka marrë në përdorim 40 hektarë shtesë, që i lejojnë të zgjerojë aktivitetin përtej kantiereve, në sektorët tregtarë, logjistikë, energjetikë, portualë dhe ushtarakë. Vendndodhja e Elefsinës, pranë një aeroporti ushtarak dhe një nyje kryesore hekurudhore, e bën një vend ideal nga shumë pikëpamje.

Por rëndësia e vërtetë e qytetit është tjetër: afërsia e tij me portin e Pireut, i kontrolluar në 67% nga kompania publike kineze Cosco dhe i cilësuar nga lideri i Pekinit Xi Jinping si “koka e Dragoit”. Me fjalë të tjera, zhvillimi portual dhe i kantiereve në Elefsina mund të bëhet një pikë kyçe për Shtetet e Bashkuara për të kundërshtuar drejtpërdrejt ndikimin kinez në Mesdhe, komponent strategjik i pashmangshëm i Rrugës së Re të Mëndafshit.

Cosco e mori menaxhimin e Pireut në vitin 2016, me një koncesion të vlefshëm deri në vitin 2052, dhe që atëherë nuk ka reshtur së rrituri kapacitetin e tij, duke e bërë në vitin 2023 portin e katërt në Europë për kontejnerë. E sapo emëruar në Athinë, ambasadorja e re amerikane në Greqi, ish-partnerja e Donald Trump Jr. dhe prezantuese e Fox News, Kimberly Guilfoyle, e ngriti menjëherë tensionin, duke e cilësuar “të dënueshme” që një strukturë kaq e rëndësishme si Pireu të jetë në duart e Kinës, konkurrentit kryesor të SHBA.

Përgjigja nuk vonoi. Ambasada kineze në Athinë i cilësoi deklaratat e Guilfoyle si “ndërhyrje të rënda në punët e brendshme greke”, duke e akuzuar për “tentativë për të minuar stabilitetin”. Dhe shtoi: “Pireu nuk duhet të bëhet viktimë e një përplasjeje gjeopolitike”.

Siç shkruan Corriere della Sera, në siklet të madh ndodhet kryeministri konservator grek Kyriakos Mitsotakis, i cili nga njëra anë thotë se “marrëveshjet e përfunduara nga qeveritë e kaluara duhen respektuar”, por nga ana tjetër përpiqet të qetësojë administratën Trump, duke premtuar se “do të ketë mënyra të tjera për të bashkëpunuar me amerikanët”. Sipas mediave greke, Uashingtoni do të ishte i interesuar edhe për blerjen nga grupe amerikane të porteve të tjera helene, si Volosi, në Greqinë qendrore, dhe sidomos Aleksandropoli, pranë Detit të Zi, ku ndodhen tashmë një bazë amerikane dhe një terminal GNL për marrjen e gazit të lëngshëm.

Diferenca e kapacitetit aktual mes Elefsinës dhe Pireut është e madhe, me të parin që menaxhon një volum biznesi prej vetëm 5 milionë euro në vit, ndërsa porti i Athinës arrin në 235 milionë euro në vit. Por planet e rritjes së Onex janë shumë ambicioze. Sipas ekspertëve, Elefsina do të përdorej veçanërisht për ngarkesat teknologjikisht të ndjeshme dhe ato ushtarake, në mënyrë që të shmangen rreziqet e spiunazhit nga pala kineze./klan

sqShqip