Administrata Trump është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie juridikisht të detyrueshme, të bazuara në modelin e Nenit 5 të Traktatit të NATO-s.

Lajmi raportohet nga portali amerikan Axios, duke cituar burime nga administrata amerikane.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, qëllimi është të krijohet një mekanizëm sigurie që të mos jetë “një çek i bardhë”, por njëkohësisht të ofrojë mbrojtje reale dhe të besueshme për Ukrainën.

“Jemi të gatshëm ta dërgojmë këtë marrëveshje në Kongres për votim”, është shprehur zyrtari.

I dërguari special i Presidentit të SHBA-ve, Steve Witkoff, pritet të zhvillojë këtë fundjavë në Berlin një takim të rëndësishëm me liderë evropianë dhe Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Sipas Wall Street Journal, ky takim konsiderohet vendimtar, teksa Shtëpia e Bardhë po shtyn drejt arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë brenda fundit të vitit.

Në negociata pritet të marrin pjesë Presidenti i Francës Emmanuel Macron, Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Kancelari gjerman Friedrich Merz./tema

sqShqip