SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit të shtunën në mëngjes, pas asaj që ushtria izraelite e përshkroi si muaj të tërë “planifikimi të përbashkët”. Izraeli tha se sulmet e tij kishin në shënjestër udhëheqësin suprem të Iranit, presidentin dhe kreun e forcave të armatosura.
Presidenti Donald Trump e përshkroi fushatën ushtarake të SHBA-së si “masive dhe në vazhdimësi”. Ai u bëri thirrje iranianëve të “marrin në dorë qeverinë tuaj”. Trump gjithashtu akuzoi Teheranin se po punonte për të rindërtuar programin e tij bërthamor pas sulmeve masive të SHBA-së verën e kaluar, për të cilat më parë kishte pretenduar se i kishin shkatërruar plotësisht objektet. Irani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Teherani iu përgjigj sulmeve duke ndërmarrë një valë të paprecedentë goditjesh drejt Izraelit dhe objektivave amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. Shpërthime u raportuan në disa vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Katarin.
Operacioni izraelito-amerikan u krye nga forcat ajrore të izraelit. Ministri i Mbrojtjes së Izraelit njoftoi një sulm parandalues ndaj Iranit. Mediat iraniane kanë konfirmuar shpërthimet.
Në kohën e sulmit, IDF lëshoi një paralajmërim kombëtar për të gjithë qytetarët që të qëndrojnë pranë zonave të mbrojtura.
“Ky është një paralajmërim paraprak me qëllim përgatitjen e publikut për mundësinë e lëshimit të raketave drejt shtetit të Izraelit”, tha IDF.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi tre shpërthime në qendër të Teheranit. Tym i dendur po ngrihet nga qendra e Teheranit, raportoi agjencia iraniane ISNA.
FARS raportoi gjithashtu se raketat goditën lagjen qendrore Jomhouri të kryeqytetit iranian dhe rrugën ku ndodhet Universiteti i Teheranit.
Autoritetet në Teheran thuhet se po inspektojnë të gjitha zonat e prekura dhe kanë rritur masat e sigurisë në kryeqytet.
15:46 Nga BE e Kosova tek Marine Le Pen, mbështetet sulmi ndaj Iranit: Të fitojë populli
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i mbështeti me forcë sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke shkruar në platformën X se “ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit”, dhe kjo, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
15:42 Khamenei është ekzekutuar? Reagon ministri i Jashtëm i Iranit: Nëse amerikanët duan të flasin me ne, dinë ku të na gjejnë
Sipas mediave izraelite, udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të ketë mbetur i vrarë nga një sulm izraelit i kryer më herët gjatë ditës së sotme.“Për aq sa di unë,” tha Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në një intervistë me NBC News, “Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është ende gjallë.”
15:14 Mediat izraelite: Ka indikacione se Khamenei është vrarë
Izraeli po vlerëson mundësinë që Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, të ketë mbetur i vrarë nga një sulm izraelit i kryer më herët gjatë ditës së sotme. Lajmi është raportuar nga televizioni izraelit Channel 12, i cili citon burime të paidentifikuara brenda Izraelit dhe flet për “indikacione në rritje” që ai të jetë vrarë.
14:12 Moska zyrtare dënon sulmin ndaj Iranit: Aventurë e rrezikshme, po kërcënohet gjithë rajoni
Moska ka dënuar ashpër sulmet amerikane dhe izraelite kundër Iranit. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme ruse i cilësoi sulmet si “aventurë të rrezikshme” dhe që kërcënojnë rajonin. ‘Kjo katastrofë’ sipas Rusisë, synon “shkatërrimin” e qeverisë iraniane, pasi ajo ka refuzuar t’i nënshtrohet “diktatit” të tyre.
14:09 Rezidenca, vendi ku merren vendimet e rëndësishme për sigurinë kombëtare/ Trump mbikëqyr sulmet ndaj Iranit nga Mar-a-Lago
Presidenti amerikan Donald Trump i ndoqi nisjen e sulmeve ndaj Iranit nga rezidenca e tij Mar-a-Lago, e cila ndër vite është përdorur si qendër vendimmarrjeje për operacione të ndjeshme ushtarake dhe të sigurisë kombëtare.
14:00 Dalin pamjet e shkatërrimit të kompleksit të Khameneit, ishte në shënjestër të sulmit amerikano-izraelit
Sulmet e SHBA dhe Izraelit kanë shkatërruar rezidencën zyrtare të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në Teheran. Gazetari i New York Times ka publikuar pamjet satelitore të kompleksit, ndësa shkruan se nuk dihet vendodhja aktuale e Khameneit.
13:22 Rritet bilanci i viktimave në Iran, shkon në 40 numri i personave që humbën jetën në sulmin ndaj shkollës në Minab
Një sulm izraelit ka goditur një shkollë në Iran, dhe si pasojë i ka marrë jetën 40 personave. Zyrtarët vendas raportuan shifrën, duke përditësuar numrin që kishte shkuar në 24, pas raportimit fillestar me 5 vdekje.
13:15 Sulmet ndaj zyrtarëve të lartë iranianë, Izraeli pretendon se ka eliminuar komandantin e Gardës Revolucionare të Iranit
Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Gjenerali Mohammad Pakpour, ka të ngjarë të jetë vrarë në sulmet e sotme në Iran. Pakpour u bë kreu i IRGC pasi Izraeli vrau paraardhësin e tij, Hossein Salami, në fillim të luftës së qershorit 2025.
12:38 Irani konfirmon viktimat e para, 5 nxënës humbin jetën në qytetin e Minabit
Zëvendësshefi i sigurisë së provincës Hormozgan ka njoftuar se pesë nxënëse u vranë në sulmet e sotme nga Izraeli, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve Fars. “Në sulmet e sotme nga regjimi izraelit në qytetin Minab, një shkollë fillore për vajza u vu në shënjestër dhe deri më tani 5 nxënëse kanë humbur jetën”, tha zyrtari.
12:16 ANALIZA/ Pse Trump sulmoi Iranin tani? Gjashtë arsyet që e bindën Presidentin
Analiza e Michael Rozenblat, studiues që ka punuar në aparatin e sigurisë izraelite: “Një ndryshim regjimi tani”, shkruan ai, “mund të jetë më i favorshëm se një proces i gjatë diplomatik”.
12:07 Sulmet synonin liderin suprem dhe bashkëpunëtorët e tij, ja tre zyrtarët e lartë iranianë që mediat izraelite pretendojnë se janë eliminuar
Mediat izraelite po raportojnë se objektivat kryesore të sulmeve ndaj Iranit ishin lideri suprem Ajatollah Ali Khamenei, zyrtarët e lartë iranianë si dhe depot e materialeve bërthamore të Iranit. Sakaq, Channel 12 raporton se një prej zyrtarëve të lartë që u vra gjatë sulmeve ishte Ali Shamkhani, një këshilltar i Khameneit dhe përgjegjës për programin bërthamor.
11:58 Lufta në Lindjen e Mesme, Izraeli: Operacioni nuk synon ndryshimin e regjimit. Përgjigjet Irani: Do t’u japim një mësim historik
Zyrtari ushtarak izraelit thotë se fokusi i operacionit nuk është “ndryshim regjimi” Fokusi i Izraelit nuk është “një operacion për ndryshim regjimi”, tha një zyrtar ushtarak izraelit në një konferencë për shtyp të shtunën, duke theksuar se objektivi kryesor janë shënjestrat ushtarake.
11:57 Sulmet izraelite në Iran, CNN: Objektiv ishin udhëheqësi suprem dhe presidentin e Iranit
Sulmet e Izraelit ndaj Iranit të shtunën në mëngjes kishin në shënjestër figura të larta iraniane, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Sayyid Abdolrahim Mousavi dhe Presidentin Masoud Pezeshkian, thanë për CNN dy burime izraelite të njohura me operacionin.
11:48 Lufta në Lindjen e Mesme, reagojnë liderët botërorë. BE: Prioritet, respektimi i të drejtës ndërkombëtare. Australia: Mbështesim SHBA-në
Udhëheqësit dhe autoritetet botërore kanë filluar të reagojnë ndaj lajmit se SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ndaj Iranit, ndërsa Teherani po u përgjigjet këtyre sulmeve me goditje të veta në Lindjen e Mesme.
11:34 Regjistrohet viktima e parë, shtetasi aziatik në Abu Dabi, u godit nga mbetjet e raketave iraniane
Një person ka humbur jetën nga mbetjet që binin pasi mbrojtja ajrore ndërpreu raketa iraniane që synonin bazat amerikane në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, tha agjencia shtetërore e lajmeve WAM, duke cituar ministrinë e mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe. Ministria e mbrojtjes tha se viktima ishte një shtetas aziatik.
11:20 “Paqebërësi e tregoi dhe një herë fytyrën e tij”, vjen reagimi i parë nga Rusia pas sulmeve ndaj Iranit: Negociatat ishin shpërqëndrim
Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së fuqishme të Rusisë, ka kritikuar ashpër presidentin Donald Trump pas ofensivës që SHBA dhe Izraeli ndërmorën ndaj Iranit sot. “Paqebërësi e tregoi edhe një herë fytyrën e tij”, tha Medvedev.
11:10 Vijon kundërpërgjigja në disa fronte nga Irani, pas Bahreinit e Abu Dabit goditet dhe Doha
Shpërthime janë dëgjuar edhe në Doha, kryeqytetin e Katarit pas njoftimeve se Irani po godet edhe aleatët e tjerë të SHBA-së në Lindjen e Mesme, përveç Izraelit. Ministri i jashtëm i Iranit tha se përgjigjja e Iranit do të jetë shënjestrimi i të gjitha bazave ushtarake amerikane në rajon, sipas ministrisë së jashtme irakiane.
11:01 Irani në ndërprerje pothuajse totale interneti, vetëm 4% e vendit kanë akses në rrjet
Irani po përjeton një ndërprerje pothuajse totale të internetit, sipas organizatës mbikëqyrëse të lirisë online Netblocks. “Konfirmuar: Të dhënat e rrjetit tregojnë se #Irani tani është në mes të një ndërprerjeje pothuajse totale të internetit me lidhje kombëtare në 4%”, shkroi Netblocks në një postim në kanalin e saj Telegram.
10:39 Irani nuk mjaftohet vetëm me sulme ndaj Izraelit, shënjestron bazat amerikane në Bahrein, Abu Dhabi dhe Katar
Kundërpërgjigja iraniane ndaj sulmeve të sotme nuk është kufizuar vetëm në Izrael, pasi mediat e huaja raportojnë se ka patur shpërthime të shumta në Bahrein, Abu Dhabi dhe Katar, vende të cilat kanë baza amerikane. Irani kreu sulme me raketa në një bazë amerikane në Bahrein, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars e Iranit.

