Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se është nisur drejt Uashingtonit në një moment që e cilëson vendimtar për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas tij, pas miratimit të H.R. 6411 – “Presheva Valley Discrimination Assessment Act”, të sponsorizuar nga kongresisti amerikan Keith Self nga Teksasi, çështja e Luginës ka hyrë tashmë në vëmendjen institucionale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kamberi bëri të ditur se në Uashington do të ketë angazhime të drejtpërdrejta me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me anëtarë të Kongresit, në takime ku, siç thekson ai, po formësohet qasja amerikane ndaj Luginës së Preshevës.
“Mesazhi është i qartë: diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve të Luginës nuk është më çështje periferike – është çështje e të drejtave të njeriut dhe e demokracisë,” ka deklaruar Kamberi.
Ai ka shprehur falënderim të veçantë për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me në krye Joe DioGuardi, për organizatën “Albanians for America”, për Gino Mulliqi, për komunitetin shqiptar në Teksas, për Këshillin Kombëtar Shqiptar, si dhe për Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se ky është një avokim i përbashkët për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

