Maqedoni

Sezoni turistik në Kodrën e Diellit, i dështuar

Sezoni turistik në Kodrën e Diellit ka përfunduar. Apo, më mirë të themi, nuk filloi aspak sivjet, sepse sipas përllogaritjeve, sezon ka pasur diku vetëm 10 ditë. Bashkë me këtë, kanë përfunduar edhe shpresat e afaristëve në Kodër të Diellit për të punuar dhe për të nxjerrë ato pak investime që bënë.

Një ndër afaristët në Kodrën e Diellit thotë se të gjitha investime e bëra, duke përfshirë edhe angazhimin e kuadrit shkuan huq. Sipas tij humbjet për këtë sezon, janë me dhjetëra mijëra euro. Pronarët e hoteleve thonë madje se po mendojnë seriozisht të mbyllin bizneset e tyre, pasi shteti nuk është fare i interesuar për këtë pikë turistike.

“Kemi pasur shumë shumë anulime. E patëm edhe muajin e tretë të rezervuara por janë bë anulime se ngrohtë shumë. Kemi punuar me shumë vështirësi, patëm edhe ndalesën për ratrakët për skijim, pra Kodrën e Diellit mund ta bëjmë lirisht deponi qensh dhe t’i mbyllim hotelet. Këtu të gjithë punojnë që të mos punohet. Askush nuk punon që të punohet”, tha Hashim Hasani. Pronar hoteli.

“Këto tre muaj ishte shumë sezon i keq, më i keqi i dhjetë viteve të fundit. Në janar diçka deri kah i njëzeti patëm pak punë, por më pas, me mbylljen e pushimeve dimërore u pre puna. Nëse vazhdon kështu me këto presione, vështirë, mendohen që të iki prej kodrës së Diellit”, u shpreh Zharko Nedelkovski – pronar hoteli.