Maqedoni

Serbia porosit sasi të mëdha ushqimi ndërsa tensionet Ukrainë-Rusi rriten, Osmani: Sigurinë tonë e garanton NATO

Autoritetet e Serbisë kanë porositur sasi të mëdha ushqimi nën efektin e krizës Ukrainë-Rusi, tha të premten presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërkaq ministri i Jashtëm i vendit, Bujar Osmani i pyetur se a do të veprojë edhe vendi jonë kështu, ai u shpreh se vendi jonë është në NATO, dhe kjo garanton siguri, transmeton Portalb.mk.

Duke folur gjatë një debati të drejtpërdrejtë në TV Prva pro-qeveritare të premten, Vuçiq tha se autoritetet porositën 30 milionë kilogramë kripë dhe një milion kilogram bizele dhe fasule, si dhe 30 milionë kilogramë miell dhe qumësht pluhur, transmeton CNN,

“Në një kohë kur e gjithë bota pret në mënyrë histerike që diçka të ndodhë mes Rusisë dhe Ukrainës, nuk mund të pretendoni se asgjë nuk po ndodh”, tha presidenti serb.

Vuçiq ka shtuar gjithashtu se furnizimet me derivate nuk janë siguruar ende.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani i pyetur për atë se a do veprojë edhe vendi jonë si Serbia, ai u përgjigj kështu:

“Natyrisht se një eskalim, tash edhe eksalimi mund të ketë skenarë të ndryshëm se në çfarë mase mund të përshkallëzohet situata atje. Ne i kemi analizuar të gjitha versionet e mundshme, nga një luftë e hapur deri te një konflikt i izoluar dhe cilat do të ishin pasojat mbi rajonin. Ajo që është e rëndësishme se ne jemi anëtarë të NATO-s dhe NATO është aleancë që garanton siguri kolektive të anëtarëve të saj dhe kjo në një mënyrë na vendos në një situatë krejt ndryshe se sa mos të ishim anëtarë të NATO-s, për shkak se sigurinë tonë e garanton Aleanca Veriatlantike. Gjithashtu kemi kërkuar dhe jemi duke bërë analizë për pasojat ekonomike dhe financiare nga një përshkallëzim i konfliktit atje dhe eventualisht bashkëngjitje e e jona në sanksionet e mundshme ndaj Rusisë. Javën që vjen nga nesër janë caktuar takimet edhe shërbimeve të sigurisë dhe të ekonomisë për pasojat që mund të dalin nga një përshkallëzim i mundshëm që mund të dalim me plane konkrete në këtë drejtim.”

Kujtojmë se, Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, duke e rrethuar atë nga tre anë, në Krime në jug, në anën ruse të kufirit dhe në Bjellorusi në veri. Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 pushtoi Gadishullin ukrainas të Krimesë. Por Rusia deri më tani mohon të pushtojë Ukrainën. Shumë vende u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Kremlini ka kërkuar nga NATO të kufizojë aktivitetet në Evropën Lindore dhe të premtojë se nuk do të shtojë zgjerohet me vendet ishsovjetike, Ukraina në këtë rast. Nga ana tjetër, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Rusisë, anëtarët e NATO-s kanë vendosur trupa dhe pajisje për anëtarët e tjerë, shtetet që kufizohen me Ukrainën.