May 3, 2024
Maqedoni

Demiri: Fëmijët me tri vaksina të pranohen në çerdhe

Për shkak të epidemisë së shpallur të kollës së keqe në Shkup, hyri në fuqi ndalimi për pranimin e fëmijëve plotësisht të pavaksinuar, prindërit po përballen me problemin që t’i lënë fëmijët në kopsht edhe kur fëmijët janë vaksinuar, por nuk kanë kryer rivaksinimin. Ka edhe raste kur për arsye shëndetësore apo të tjera fëmija nuk mund të bëjë rivaksinimin brenda një vit e gjysmë. Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri tha se fëmija që ka marrë tri dozat e vaksinës konsiderohet i vaksinuar dhe pret që Komisioni të saktësojë interpretimin e vendimit në mbledhjen e së enjtes. Ai theksoi se më e rëndësishmja është që opinioni të sensibilizohet për rëndësinë e vaksinimit, sepse në Shkup është ngritur një flamur portokalli i rrezikut.

“Jemi në periudhë ku në qytetin e Shkupit është shpallë epidemi e pertussis. Është shumë me rëndësi që qytetarët të jenë vigjilent dhe prindërit të kryejnë obligimin sa i përket vaksinimit sepse është në interes të vet fëmijëve edhe të shëndetit publik në përgjithësi, që të kemi popullatë të shëndoshë, Ju lutem t’i vaksinoni fëmijët. Sa i përket dilemave, në qoftë se është i vaksinuar me tri doza, por nuk është i rivaksinuar duhet apo jo të pranohet në çerdhe rregullat janë strikte. Do të kërkoj prej Komisionit të mbajë takim gjatë ditës së nesërme dhe të kemi një qëndrim që do të jetë i unifikuar.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri për TVM2.

Panovski: Të zbuten masat për pranimin e fëmijëve në çerdhe

Këto komente ministri Demiri i bëri në prag të ditës botërore të veshkave me ç’rast paralajmëroi kontrolle falas për 2 mijë pacientë të rrezikuar nga sëmundjet kronike të veshkave. Ndërkohë mikrobiologu Nikolla Panovski thotë se vaksina me diteper mbron të paktën 5 vite, prandaj me tre vaksinat e marra, fëmija nuk mund të përhapë sëmundje.

“Është mirë të vaksinohen, por mendoj se masat janë shumë të ashpra duhet të zbuten edhe pse në aspekt medicinal kjo është mirë, por duhet realisht të merret parasysh edhe ajo se ku do t’i mbajnë prindërit. Me siguri as Komisioni nuk e ka ditur se numri i të pavaksinuarve nuk është aq i madh në krahasim me të pa vaksinuarit plotësisht. Fëmija i pavaksinuar sipas meje nuk duhet të pranohet në çerdhe, të vaksinohet dhe pas 14 ditësh pas krijimit të imunitetit të pranohet në çerdhe, me kushtin që dozat tjera t’i pranojë rregullisht. Po flas për të pavaksinuarit. Ndërsa ata që janë me tre doza, pa marrë parasysh moshën, duhet të pranohen në çerdhe, me kushtin që të rivaksinohen menjëherë.”, – theksoi mikrobiologu, Nikolla Panovski.

Megjithatë Panovski thotë se situata me kollën e madhe është nën kontroll edhe pse do të vazhdojë paraqitja e rasteve, dhe nëse eskalon situata do të duhet të vaksinohen edhe të rriturit.