May 16, 2024
Maqedoni

Serbët sërish përplasen me policinë në Veri të Kosovës, shpërndahen me gaz lotësjellës (Video)

Protestuesit tentojnë të futen në komunën e Zveçanit, shpërndahen me gaz lotësjellës nga policia (VIDEO)

08:01 – Rakiq dhe Simiq iu bashkohen protestuesve në Zveçan

Shumë protestues janë mbledhur para objektit të komunës së Zveçanit.

Kështu ka bërë të ditur, gazetari i Klan Kosovës i cili po qëndron atje, Drin Demiri.

Gjithashtu edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari, Igor Simiq, kanë shkuar në Zveçan, duke iu bashkuar protestuesve atje.

07:52 – Në Leposaviq KFOR-i amerikan krijon perimetër, derisa protestuesit mblidhen (FOTO)

KFOR-i amerikan ka krijuar perimetër në Leposaviq për të pasur nën kontroll situatën në këtë komunë, pasi sot do të dalë në punë kryetari i ri.

Protestuesit serbë si edhe në komunat e tjera veriore veçse janë mbledhur për të kundërshtuar udhëheqjen e kryetarit të ri, njofton Klankosova.tv

Ndërkaq policët e Kosovës gjenden brenda komunës.

07:41 – Kryetarët e komunave veriore sot takohen me ambasadorin Hovenier

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, sot do të zhvillojë një takim me kryetarët e komunave veriore.

Bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në Prishtinë, me fillim nga ora 09:00, përcjell Klankosova.tv.

07:31 – KFOR-i ruan sigurinë e objekteve të komunave veriore

KFOR-i është duke e ruajtur sigurinë e objekteve të komuanve në veri të vendit, aty ku sot do të nisin punën kryetarët e rinj.

Pjesëtarët e policisë së Kosovës gjenden në afërsi të objekteve komunale duke e përcjellë gjendjen.

Në Zubin Potok e Zveçan veçse janë mbledhur protestuesit serbë për të kundërshtuar udhëheqjen e kosovarëve në këto komuna.

Në Zveçan madje protestuesit tentuan të hynin edhe në objektin e komunës, por u shpërndanë me gaz lotsjellës nga policia.

07:31 – Protestuesit tentojnë të futen në komunën e Zveçanit, shpërndahen me gaz lotësjellës nga policia (VIDEO)

Protestuesit i janë afruar objektit të komunës në Zveçan, duke tentuar që të futen brenda në objekt.

Gazetari i Klan Kosovës i cili gjendet atje, Drin Demiri, ka bërë të ditur se pas këtij tentimi, ata janë shpërndarë me gaz lotësjellës nga Policia e Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se kryetari i ri i kësaj komune, Ilir Peci ende nuk kanë dalë në punë, përcjell Klankosova.tv.

Kujtojmë se nga ora 09:00, kryetarët e katër komunave veriore do të zhvillojnë një takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

07:20 – Protestuesit serbë mblidhen në Zubin Potok (FOTO)

Në Zubin Potok, aty ku sot do të nisë punën kryetari kosovar Izmir Zeqiri, veçse kanë nisur të mblidhen protestuesit serbë për të kundërshtuar udhëheqjen e tij në këtë komunë.

Të gjitha rrugët rreth objektit komunal si dhe përgjatë magjistrales janë siguruar nga forcat e KFOR-it, kurse policia e Kosovës ndodhet në hyrje të objektit të komunës.

Kryetari Zeqiri ende nuk ka dalë në punë.

06:54 – Kryetarët veriorë sot nisin punën në komuna

Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, sot do të nisin punën zyrtarisht në këto komuna.

Kujtojmë se të premtën pati tensione me shkuarjen e tyre nëpër objektet komunale, ku edhe u ngritën flamujt e Kosovës e u hoqën ata serbë.

Për situatën në veri kanë reaguar edhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë bërë thirrje të mos ketë provokime dhe çështjet të zgjidhen me dialog.