July 27, 2024
Maqedoni

Sela: Taravari t’i dorëzojë vulat, ai ka ikur nga Aleanca për Shqiptarët! (Video)

Ziadin Sela përmes një interviste për gazetën LAJM, i ka bërë thirrje Arben Taravarit që t’i dorëzojë vulat në parti. Sela, tha se Kongresi i së dielës dëshmoi se shumica e anëtarësisë së Aleancës për Shqiptarët e mbështesin atë dhe u shpreh i bindur se një gjë e tillë do të dëshmohet edhe në gjykatë. Në intervistën e tij për gazetën LAJM, Sela akuzoi Taravarin se në prag të zgjedhjeve me vendimet e tij, është munduar ta dëmtojë rëndë ASH-në.

“Është gati dokumentacioni dhe besoj që së shpejti do të dorëzohet në gjykatë me qëllim që të merret edhe e drejta e vulës. Nëse e kemi parasysh mënyrën se si u bë, si e bëra, kushtimisht thënë, nuk duhej të vinte puna deri në gjyq. Është legjitime të merr secili rrugëtimin e tij në jetë ashtu siç e mendon, por aspak nuk është legjitime forma se si u soll dhe është e ulët që ne të shkojmë dhe të përballemi në gjykatë për të marrë vulat. Ai e ka zgjedhur një udhëtim, motivet e të cilit nuk mendoj se janë fisnike. E udhës do të ishte që të dorëzojë partinë, vulat e partisë sepse shumica e Aleancës për Shqiptarët është këtu, ishte në kongres, u dëshmua me gjithëçka, ne nuk e kemi problem këtë që ta dëshmojmë edhe në gjyq, por nuk e kuptoj përse gjithë kjo ligësi. Gjithë këto hapa bëhen pa e informuar aspak partinë shumë afër zgjedhjeve për të na gjetur të papërgatitur. Edhe kjo vonesa në vula ka po të njejtin qëllim dhe unë realisht nuk i di motivet, me çfarë e kam merituar Aleanca për Shqiptarët, me çfarë e kam merituar unë si Ziadin Sela, që e kam bërë kryetar partie, në kohën kur kishte një rezistencë të hatashme dhe nuk e pranonin për kryetar partie që t’i bëjë të gjithë këto pengesa dhe Aleancën për Shqiptarët ta bëjë të pavlerë”, u shpreh mes tjerash Sela.

Intervistën e tij të plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.