April 29, 2024
Maqedoni

Aksion i madh policor në Saraj dhe Gjorçe Petrov të Shkupit, ka të arrestuar

Në një aksion të përbashkët policor të më shumë departamenteve pranë MPB-së, janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohen për tregti me armë, përcjell KlanM.

“Pas urdhrave të pranuar paraprakisht nga gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, janë kryer bastisje në tetë lokacione në zonën e Gjorçe Petrovit dhe Sarajit, te B.L. (27), E.SH.(35), X .L.(22), A.Sh.(28) dhe A.Sh.(28), A.Z.(25), G.K.(27), L.I.(19) dhe D.M. (24). Gjatë kontrolleve u gjetën prova të veprës penale të kryer nga neni 396 i Kodit Penal për ‘prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim të paautorizuar të armëve ose lëndëve plasëse’, si dhe në lidhje me një sasi të madhe municioni dhe armë zjarri automatike të gjetur më parë më 23.08. 2023”, thonë nga MPB.

Dy personat janë ndaluar në komisariat, ndërsa po ndërmerren masa dhe aktivitete për gjetjen dhe ndalimin, siç thonë nga MPB, të personave të tjerë të përfshirë në krim.

Ndaj personave për të cilët janë siguruar provat SPB Shkup ka dorëzuar kallëzim penal tek PTHP-ja kompetente, ndërsa provat janë duke u siguruar edhe për personat e tjerë të përfshirë.

Gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup caktoi paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh për dy persona./KlanMacedonia