Save Children: Më shumë fëmijë janë vrarë në Gaza sesa në të gjitha konfliktet në botë në tre vitet e fundit
Mbi 3.600 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Ata janë goditur nga sulmet ajrore, nga raketat e lëshuara gabimisht nga militantët, janë djegur nga shpërthimet dhe janë shtypur nga rrëzimi i ndërtesave, tha ministria. Po ashtu, sipas kësaj ministrie, në mesin e viktimave ka të porsalindur dhe fëmijë të vegjël.
Izraeli tha se sulmet ajrore shënjestrojnë caqet e militantëve të Hamasit dhe infrastrukturën dhe ka akuzuar grupin se po përdor civilët si mburoja njerëzore. Po ashtu tha se mbi 500 raketa të militantëve, gabimisht kanë goditur caqe në Gazë, duke vrarë një numër të panjohur të palestinezëve. Sipas Save the Children më shumë fëmijë janë vrarë gjatë tre javëve në Gazë sesa në të gjitha konfliktet në mbarë botën në tre vjetët e fundit. Për shembull, sipas kësaj organizate, 2.985 fëmijë janë vrarë në dhjetëra zona të konfliktit gjatë vitit të kaluar.
Edhe fëmijë izraelitë janë vrarë. Gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor në qytetet jugore izraelite, sulmuesit vranë mbi 1.400 persona. Në mesin e viktimave kishte edhe foshnja dhe fëmijë të vegjël, kanë thënë zyrtarët izraelitë, edhe pse nuk kanë ofruar shifra të sakta. Afër 30 fëmijë po ashtu janë në mesin e 240 pengjeve që i ka marrë Hamasi. Izraeli fajëson Hamasin për numrin e viktimave në Gazë, që tashmë ka arritur në mbi 8.800, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli ka argumentuar se grupi militant operon nga lagjet ku jetojnë civilët. Por, palestinezët kanë thënë se numri i lartë i viktimave është dëshmi se sulmet izraelite janë pa dallim. Sipas mjekëve, si pasojë e luftës, mbi 7.000 fëmijë palestinezë janë plagosur.