Kryetarja e Këshillit Nacional Shqiptar në Sanxhak, Amina Nuraj, i është drejtuar sot mbarë opinionit shqiptar me një porosi emocionuese dhe plot peshë politike, në ditën kur Kosova po voton për legjislaturën e saj të re.
Përmes këtij mesazhi, Nuraj ka vënë në dukje se Kosova mbetet drita udhëheqëse e të gjithë shqiptarëve, duke dërguar një thirrje të veçantë për udhëheqësit e ardhshëm që të mos i harrojnë vëllezërit dhe motrat e një gjuhe dhe historie në Sanxhak.
Më poshtë vijon porosia e saj e plotë:
“Kosova është shpresa e zemrës së shumë shqiptarëve kudo që jetojnë.
Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë dhe për të ardhmen. Uroj që në këto zgjedhje të fitojë drejtësia, ndershmëria dhe puna për të mirën e qytetarëve. Le të fitojnë vlerat që e bëjnë Kosovën më të fortë, më të zhvilluar dhe më të bashkuar.
Kushdo që merr besimin e qytetarëve, le të mos harrojë se përtej kufijve të Kosovës jetojnë mijëra vëllezër e motra shqiptare që e duan Kosovën me gjithë zemër. Le të mos harrohen shqiptarët në Sanxhak, të cilët ndajnë të njëjtën gjuhë, histori dhe dashuri për kombin.
Kosova është më shumë se një shtet – është shpresë, krenari dhe dritë për shumë zemra shqiptare. Sot le të flasë vota e lirë, le të fitojë drejtësia dhe le të mbizotërojë respekti mes të gjithëve.
Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë.” (INA)

