Sali: Gjysëmvjetori i dytë përfundimisht fillon me prezencë fizike
Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, sot para mediave njoftoi se përfundimisht gjysmëvjetori i dytë do të fillojë me prezencë fizike ndërsa si preventivë për parandalimin e përhapjes së virusit, do të ndërmarin masa duke kryer skrining tek nxënësit.
“Sipas të dhënave tona, nuk do të ketë nevojë për izolim, gjegjësisht mësim online në këtë moment, sepse gjendja epidemiologjike ndryshon çdo ditë, ne në bazë të këtyre të dhënave marrim edhe vendime të reja dhe politika të reja, kjo do të thotë se nga 1 shkurti mësimi do të niset me prezencë fizike në shkolla, dhe ne si ministri do të marrim masa preventive duke realizuar skrining”, tha mes tjerash Sali.
Ai sot është vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës “Pfizer” kundër koronavirusit në pikën e vaksinimit të Fakultetit Ekonomik në Shkup, në kuadër të aksionit të përbashkët me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë. Ai ka dërguar mesazh se vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin e popullatës.
“Sot mora dozën e tretë të “Pfizer” dhe ndihem shumë mirë. Për të gjithë qytetarët që kanë dyshime për vaksinimin, dëshirojmë të dërgojmë një mesazh nga ky vend akademik së bashku me rektorin Jankullovski dhe profesorin Grozdanova se vaksinimi është i sigurt dhe kjo është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Në të kaluarën dhe në të ardhmen, politikat shëndetësore për mbrojtjen e popullatës do të synojnë promovimin e vaksinimit. Dua të apeloj që në vendin tonë qytetarët kanë nevojë për veprime shtesë, gjegjësisht stimulim të vaksinimit sepse nuk mund të themi se jemi të kënaqur me përqindjen aktuale të të vaksinuarve për t’iu afruar liberalizimit të masave mbrojtëse nga Covid-19″, tha ministri i Shëndetësisë Sali.
I pyetur se si do të rikthejë besimin e qytetarëve për vaksinat, kur mes të vdekurve ka të vaksinuar dhe që në vendin tonë të mos ndahen pacientët e vdekur nga Covid-19 dhe ata me Covid-19, ministri tha se metodologjia. në vendin tonë ka një qasje tjetër dhe nuk duhet të na ngatërrojë pse kemi mbi 8000 vdekje nga që nga fillimi i Covid-19 dhe në vendet e tjera janë më pak.
“Më duhet të përmend se në interes të transparencës, institucionet tona kanë dashur që në fillim të tregojnë se sa ka të vdekur si pasojë e Covid-19, Fakti është se Covid në vetvete është i ndërlikuar dhe është një faktor shumëorganësh që përkeqëson gjendjen e një pacienti dhe normalisht mund të jetë shkaku i vdekjes”, tha Sali.