Problemet me sms porositë e gabuara që lidhen me paralajmërimet për shkelje të evidentuara nga sistemi “Qytet i Sigurt” së shpejti pritet ti përkasin së kaluarës. Ministria e Punëve të Brendshme, njofton se së shpejti do të fillojë funksionimi i një aplikacioni mobil, ku qytetarët, me profile të tyre, do të kenë mundësi të kontrollojnë dhe përmirësojnë të dhënat që janë lënë për automjetin e tyre si dhe historikun e kundërvajtjeve të kryera.

“Së shpejti pritet të fillojë funksionimi i një aplikacioni mobil, i cili do të jetë i qasshëm në Google Store, App Store, si dhe online. Në këtë aplikacion, qytetarët do të kenë mundësi të kyçen dhe të kontrollojnë disa komponentë të lidhur me sistemin “Qytet i Sigurt”, përfshirë adresën e emailit dhe numrin e telefonit që janë lënë për automjetin e tyre, si dhe historikun e kundërvajtjeve të kryera prej tyre”, deklaroi Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.

Në aplikacion, qytetarët do të kenë mundësi të përditësojnë të dhënat e kontaktit që i kanë lënë, si dhe të lënë vërejtje në rast se kanë ndonjë koment apo ankesë lidhur me këto të dhëna apo parregullsitë që lidhen me sistemin.

“Gjithashtu, në mesazhet SMS që qytetarët do të marrin për kundërvajtjet rrugore të kryera, ata do të marrin edhe një link që i çon në një platformë ku mund të lënë vërejtje për parregullsi që lidhen me sistemin”, tha Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.

Ndërkohë siç konfirmoi ndihmësministri i Punëve të rendshme, Muhamed Ismaili në intervistën për Alsat, sistemi do të fillojë me shqiptimin e gjobave nga 1 shkurti, pasi nevojitet edhe 1 muaj për të anashkaluar të gjitha vërejtjet dhe defektet.

“Data kur po planifikojmë që të startojë sistemi ashtu siç e kemi paramenduar do të jetë 1 shkurti, për shkak se po vlerësojmë në ministri se 1 janari nuk është kohë e mjaftueshme për t’i parë të gjitha vërejtjet dhe të gjitha defektet dhe për t’i anashkaluar ato”, deklaroi Muhamed Ismaili, MPB.

Në fazën e parë, sistemi do të detektojë vetëm disa shkelje, si tejkalimi i shpejtësisë, kalimi në të kuqe, parkimi i parregullt dhe veturat e paregjistruara, ndërsa më vonë ai do të plotësohet edhe me veprime të tjera si përdorimi i telefonit, apo mos vënia e rripit të sigurisë, por aktualisht nuk dihet se kur të njëjtat do të fillojnë të detektohen nga sistemi inteligjent. /Alsat.mk

sqShqip