Kuvendi ende nuk e ka vendosur në rend dite ligjin për kundërvajtje, i nevojshëm për të hyrë në fuqi zyrtarisht sistemi “Safe City”. Për tu miratuar ky ligj nevojiten 80 vota në Kuvend ndërsa deri tani për mbështetje janë prononcuar të gjitha partitë politike përpos LSDM-së.
“Ne atë ligj nuk do ta mbështesim. Ne nuk jemi kundër sigurisë në komunikacion. Dëshmi e kësaj është ajo se ne e kemi filluar atë sistem. Por nuk mund të lejojmë që sistemi pjesërisht të implementohet. Ne jemi për siguri në komunikacion por edhe për siguri të të dhënave personale për të cilat pushteti as nuk komenton e as që përpiqet ta rregullojë”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Ministri i brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se që nga fillimi i test periudhës së kamerave, numri i aksidenteve është ulur ndjeshëm e me këtë është ulur edhe numri i viktimave në komunikacion.
“Në territor të SPB Shkup nëse vitin e kaluar për këtë periudhë kohore kishim 11 raste të vdekjes, tani në test periudhën kemi vetëm dy. Dy aksidente me pasojë vdekje. Pra kemi nëntë më pak”, u shpreh Pançe Toshkovski – Ministër i Brendshëm.
Fronti Europian në opozitë thonë se do ta mbështesin ligjin, por njoftuan se kanë kërkuar garanci nga Institucionet se do të bëhen përmirësime në një të ardhme të afërt. Vërejtjet kryesore të tyre ishin përdorimi i gjuhës shqipe në formularë dhe sms porosi, rregullimi i shenjave në komunikacion, lartësia e gjobave si dhe vendosja në vetëm tre qytete të këtij sistemit, respektivisht në Shkup, Tetovë e Kumanovë. /Alsat.mk

