Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN për komunën e Çairit, Sabri Aziri sot në një konferencë për media ka hedhur përsëri akuza ndaj kandidatit të AKI për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani lidhur me deklaratat e tij të fundit dhe mohimin për atë se çfarë ka ndodhur në rastin ‘Monstra’.
“Ka njerëz që mendojnë se kujtesa e popullit është e shkurtër. Se dhimbja harrohet, padrejtësitë pluhurosen dhe se pas çdo cikli zgjedhor mund të kthehen sërish si “shpëtimtarë”. Por kësaj radhe nuk kalon. Nuk mundet më. Në një vend normal, pas asaj që ndodhi me rastin e montuar “Monstra”, Bujar Osmani do të ishte tërhequr nga politika dhe do të kishte kërkuar falje publike. Por në vend të kësaj, ai del sërish para qytetarëve dhe kësaj here kërkon votën tuaj — për ta udhëhequr pikërisht Çairin. Po, Çairin. Të njëjtin Çair ku jetojnë familjet që ndjenë në kurriz peshën e padrejtësisë që ai vetë e justifikoi. Të njëjtin Çair ku nënat qanin bijtë e tyre të pafajshëm, ndërsa ai delte në televizion dhe deklaronte: Në bazë të dëshmive, ne kemi aprovuar burgosjen e familjarëve.” Cilat dëshmi, z. Osmani? Kush jua dha ato? Dhe sipas cilit ligj, një funksionar politik “aprovoi” procedura gjyqësore?”, kështu pyeti sot zëdhënësi Aziri.
Sipas Azirit, si mund të kërkohet vota e qytetarëve të Çairit kur nuk i ka kërkuar kurrë falje familjeve të Shkupit që u shpallën ‘monstra’.
“E sot, kur gazetarët ju kërkojnë llogari, përgjigjja juaj është: “Nuk isha ministër, isha mjek në klinikë.” Por opinioni publik e di mirë: atëherë nuk ishit vetëm mjek – ishit zëdhënësi i BDI-së. Pra, jo qytetar i zakonshëm, por zëri i pushtetit që justifikonte një proces monstruoz. Nuk duhej të ishit ministër për të pasur përgjegjësi – mjaftonte që flisnit në emër të atyre që mbështesnin padrejtësinë. Pyetje logjike për të gjithë shqiptarët në Maqedoni: Pse pikërisht ju ishit i vetmi funksionar që doli publikisht dhe tha se “keni aprovuar burgosje” të shqiptarëve të pafajshëm? Dhe sot, i njëjti njeri kërkon sërish votën tuaj – këtë herë me fjalime për barazi, drejtësi dhe dinjitet. Por të jemi të qartë: Dinjiteti nuk matet me fjalime. Dinjiteti fillon me pendesë. Dhe ju, z. Osmani, për 13 vite, nuk keni treguar as guximin dhe as njerëzinë për të kërkuar falje. Nëse vërtet doni të flisni për drejtësi para qytetarëve të Çairit, atëherë përgjigjuni: Si ndodhi që, pikërisht kur ishit zëvendëskryeministër, emri juaj u zhduk nga dosja e rastit “Pacienti”? Një rast ku emri i Bujar Osmanit përmendej në fillim, por papritur u zhduk, si të ishte fshirë me qëllim – për ta shpërblyer heshtjen në momentin e duhur”, u shpreh zëdhënësi Aziri.
Më tej, Aziri tha se Çairi është simbol i dinjitetit shqiptar, nuk është trampolinë për karrierë politike.
“Në konferencën time të parë për media, tregova si forcat speciale bastisën shtëpinë tonë në orën katër të mëngjesit, si na morën pa urdhër, dhe si më pas kërkonin një “mbulesë juridike” për gabimin e tyre. Në të dytën, ju kujtova se njeriu i njëjtë që sot flet për “krenari”, atëherë lejoi burgosjen e shqiptarëve të pafajshëm dhe nga ajo ditë filloi të lulëzonte karriera e tij politike. Si mund t’i kërkoni vota Çairit, kur nuk i keni kërkuar kurrë falje familjeve që i shpallët “monstra”? Si mund të flisni për drejtësi, kur keni qenë pjesë e padrejtësisë? Si mund të kërkoni besim, kur keni heshtur për të vërtetën? Çairi është simbol i dinjitetit shqiptar. Nuk është trampolinë për karrierë politike. Prandaj, z. Osmani, kjo nuk është vetëm një garë politike – është një provë ndërgjegjeje. “Sepse askush që nuk ka kërkuar falje për padrejtësinë, nuk mund të kërkojë vota për drejtësi.” Çairasit e dinë mirë dallimin mes fjalës dhe veprës. Ata e dinë kush heshti kur duhej të fliste dhe kush foli kur duhej të heshtte. Dhe këtë herë, përgjigjja do të vijë qartë, me zë të fuqishëm nga qytetarët: “MJAFT MË!” Nuk ka vota për ata që nga pushteti i dëmtuan dhe i dënuan shqiptarët”, tha për fund zëdhënësi Aziri.