Rusia nga 1 nëntori pezullon punën e misionit të saj në NATO
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov deklaroi sot se Rusia pezullon misionin e saj në NATO pas vendimit të aleancës për të anuluar akreditimin e 8 anëtarëve të personelit të saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Praktikisht si rezultat i hapave të qëllimshëm nga ana e NATO-s, neve na mungojnë kushtet e duhura për veprimtari elementare diplomatike, ndërsa si përgjigje të veprimeve të NATO-s, ne pezullojmë punën e misionit tonë të përhershëm në NATO, përfshirë punën e përfaqësuesit kryesor ushtarak”, tha ai.
Puna e misionit të NATO-s në Rusi do të pezullohet gjithashtu nga 1 nëntori, tha diplomati rus në një konferencë për media në Moskë.
“Ne pezullojmë aktivitetet e misionit ushtarak të NATO-s në Moskë, akreditimi i punonjësve të tij revokohet nga 1 nëntori i këtij viti”, tha ai.
Pas njoftimit të Lavrovit, Ministria e Jashtme publikoi një deklaratë, duke thënë se ambasadori rus në Belgjikë është i autorizuar të mbajë kontakte urgjente me selinë e NATO-s.
“NATO-ja mund të zgjedh një nga ambasadorët e vendeve anëtare në Moskë për të kryer detyra të ngjashme”, theksohet më tej.
Më 6 tetor, NATO-ja mbylli dy pozicione të vakante dhe anuloi akreditimin e 8 anëtarëve të misionit rus, duke pretenduar se ata ishin “oficerë të padeklaruar të inteligjencës ruse”.
Një zyrtar i NATO-s tha se aleanca uli numrin e pozicioneve që Rusia mund të akreditojë nga 20 në 10 ndërsa deklaroi “hapjen për një dialog kuptimplotë”.