BallinaMaqedoni

Rrumbullakohen bisedimet për Qeverinë e re, Kasami zbulon detaje të reja nga negociatat

Deri sa partitë politike janë duke u dakorduar për konstituimin e Parlamentit, e cila është harmonizuar për nesër në ora 11:00, paralelisht janë duke vazhduar edhe negociatat për formimin e Qeverisë së re. Njëra nga tre pikat e rendit të ditës në konstituimin e Parlamentit është edhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, çështje kjo e cila ka qenë një ndër pikat kryesore të negociatave mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it dhe tanimë siç duket, kjo çështje ka marrë edhe dritën jeshile të të gjitha subjekteve politike, dhe siç thotë lideri i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, emri i Afrim Gashit që po lakohet në opinion është një ndër opsionet që bashkërisht e kanë dakorduar së bashku me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
“Ne, si koalicioni VLEN, do të kemi nën menaxhim resorë të rëndësishëm në përputhje me programin tonë qeverisës e ato janë: eurointegrimet, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik i vendit. Nuk dua të futem në detaje më të thella rreth përcaktimeve kadrovike, sepse ne si VLEN sonte do të kemi mbledhje të kryesisë më të lartë dhe pasi t’i informojmë organet e partisë, do ta informojmë edhe opinionin. Në përputhje me marrëveshjet e deritanishme jemi dakorduar që njëri nga liderët e subjekteve politike që e përbëjnë koalicionin VLEN të zgjidhet kryetar i Kuvendit dhe ajo që po përflitet në mediat e vendit është në kombinim.”, – deklaroi lideri i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Kasami zyrtarisht ka njoftuar se ai mbetet kryetar i komunës së Tetovës. Ky i fundit po ashtu ka njoftuar se gjatë negociatave është hedhur poshtë ideja që VLEN-i të udhëheqë me Ministrinë për Sistem Politik. Kasami po ashtu ka shtuar se deri në fund të kësaj jave priten të përfundojnë bisedimet dhe se partnerët e koalicionit janë duke biseduar edhe për ndarjen e eshalonëve të tjerë. Sipas informacioneve zyrtare, edhe nga VLEN-i edhe nga VMRO-DPMNE-ja, takimet e grupeve punuese do të vazhdojnë edhe gjatë këtyre ditëve dhe se përveç bisedimeve me VLEN-in, grupet punuese të VMRO-DPMNE-së janë duke e finalizuar edhe marrëveshjen për bashkëqeverisje edhe me partinë “E di” të Maksim Dimitrievskit.