Foshnja njëmuajshe është pacientja më e vogël i shtrirë në spitalin e mushkërive “Kozle”, ndërsa aktualisht janë të hospitalizuar gjithsej 60 fëmijë. Sezoni i gripit ka rritur ndjeshëm edhe numrin e kontrolleve, e në nivel ditor doktori Filip Doksimovski tregon se kontrollohen rreth 150 fëmijë. Grupmoshat më të theksuara që preken nga gripi dhe sëmundjet në rrugët e frymëmarrjes janë foshnjat dhe fëmijët parashkollorë.
“Vijnë me temperaturë të lartë, kollitje intensive, të theksuar, e cila gjatë natës bëhet edhe më intensive, vështirësi në frymëmarrje, fishkëllimë në gjoks, pra kjo është simptomatologjia më e madhe për momentin”, tha Filip Doksimovski – doktor.
Mjeku Doksimovski thotë se ka pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore me infeksione respiratore, që janë në mbështetje oksigjeni. Megjithëse ka shumë pacientë të shtrirë, Doksimovski thotë se Instituti i sëmundjeve të mushkërive te fëmijët – Kozle, ka ende kapacitet për të pranuar fëmijë.
“Po kemi edhe pacientë në gjendje më të rëndë, në formë më të rëndë të organeve të poshtme respiratore, të cilëve u duhet edhe mbështetje oksigjeni. Në fakt të gjithë pacientët që janë të hospitalizuar, janë me vlerësim se nuk mund të trajtohen në kushte shtëpiake, me terapi orale dhe u duhet trajtim spitalor dhe oksigjen”, theksoi Filip Doksimovski – doktor.
Mjekët theksojnë se ajri i ndotur i ngarkon më tej rrugët e frymëmarrjes së fëmijëve dhe se vjeshta është veçanërisht problematike për fëmijët me astmë dhe alergji, të cilët mund të përjetojnë ndërlikime. Nga Spitali Kozle thonë se ende nuk ka mbërritur piku i gripit dhe se në vijim pritet të rritet edhe më shumë numri i pacientëve që vijnë për trajtim.

