Rajon - Botë

Rrëzohet avioni zjarrfikës në Turqi, raportohet për disa viktima

Një aeroplan zjarrfikës që vepronte në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve të Turqisë u rrëzua në provincën jugore Kahramanmaras, me çka të tetë personat në bord humbën jetën, raporton Anadolu Agency.

Kontakti u humb me aeroplanin i cili ishte angazhuar nga Rusia për të ndihmuar në përpjekjet e Turqisë për të kontrolluar një zjarr pyjor në Kahramanmaraş, tha guvernatori Omer Faruk Coskun për AA.

Një numër i madh i ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit u dërguan në rajon, shtoi Coskun.

Shkaku i rrëzimit mbetet i panjohur.

Nga ana tjetër, në një deklaratë, Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se avioni rus amfib Be-200 u rrëzua gjatë uljes pranë provincës Adana të Turqisë, pas një misioni zjarrfikës.

Të pesë ushtarakët rusë dhe tre turq në bordin e aeroplanit humbën jetën si pasojë e aksidentit, tha deklarata.

Një komision i posaçëm i Ministrisë ruse të Mbrojtjes si dhe punonjësit e Ambasadës së Rusisë në Turqi do të arrijnë në vend për hetime, njoftohet më tej.

Avioni u dërgua në Turqi më 8 korrik për të ndihmuar Turqinë në luftimin e zjarreve.

Be-200 është aeroplani më i madh amfib në botë i krijuar posaçërisht për të luftuar zjarret, përfshirë në zona të largëta. Ai mund të mbajë 12 tonë ujë.