May 16, 2024
Maqedoni

Rreth 700 objekte publike po helmojnë Maqedoninë e Veriut, mbi 100 në Shkup

Iniciativa qytetare “Mundësi për Qendrën” vetëm në Shkup ka piketuar mbi 100 objekte publike, spitale, kopshte, shkolla, kazerma, gjykata dhe objekte të tjera që përdorin naftë dhe mazut përkundër faktit se qyteti ka ngrohje qеndrore. Nga këtu thonë se nafta është lëndë djegëse jashtëzakonisht e ndotur, por nuk është për t’u nënvlerësuar as karburanti ekstra i lehtë, i cili përmban shumë më tepër sulfur sesa karburanti më i ndotur i makinave – dizeli. Përveç kryeqytetit janë marrë të dhëna nga e gjithë Maqedonia е Veriut dhe janë përcaktuar gati 700 objekte të tilla.

INICIATIVA QYTETARE “MUNDËSI PËR QENDRËN”

“Nëse nuk duam të thithim ajër që mediat botërore e cilësojnë si ‘me erë plastike të djegur’, tani është mundësia për të bërë një ndryshim. Po përgatitet buxheti i ri i shtetit për vitin 2024, i cili është një mundësi për t’iu drejtuar deputetëve të çdo njësie zgjedhore dhe së bashku të bëjmë presion për më shumë para për të luftuar ndotjen e ajrit”.

Nga iniciativa “Mundësi për Qendrën” thonë se në vitin 2023 nuk është bërë asnjë ndryshim në mënyrën e ngrohjes tek një numër i madh i objekteve publike që ngrohen me naftë dhe mazut për të reduktuar ndotjen e ajrit në dimër. Ata do të vazhdojnë të ndotin edhe këtë dimër dhe ne do të jemi sërish ndër tre vendet më të ndotura në Evropë”. Sipas tyre, nuk ka qytet në Maqedoni të Veriut që nuk ka një mori objektesh publike që ndotin ajrin . Shkupi prin, por në pozitë të palakmueshme janë edhe qyteti i Tetovës, Kumanovës, Manastirit, Prilepit, Ohrit, Shtipit dhe Gostivarit.

INICIATIVA QYTETARE “MUNDËSI PËR QENDRËN”

“Për ngrohjen e këtyre objekteve në këtë sezon ngrohjeje mund të shfytëzohen mbi 16.5 milionë litra naftë për ngrohje dhe mbi 4.8 mijë tonë mazut. Ne do ta thithim këtë. Për ngrohjen e tyre, për një sezon, qytetarët do të paguajnë mbi 20 milionë euro përmes buxhetit të shtetit dhe komunave”.

Nga Iniciativa qytetare “Mundësi për Qendrën” “thonë se është e nevojshme t’i bëhet presion deputetëve në Kuvend dhe këshilltarëve që të angazhohen për masa në buxhetin e vitit 2024 në zonat e tyre zgjedhore që t’u jepet mundësi të gjitha komunave të bëhen më të pastra.