Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar të hënën Serbinë për cenim të integritetit territorial të Kosovës, pasi Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 1 nëntor ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, me inicialet M.V., dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.

Të martën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se qytetari i rrëmbyer nga ana e xhandarmerisë serbe brenda territorit të Kosovës, i cili përveç se i sulmuar, ka qenë edhe i plagosur, u rrëmbye nga shteti i Serbisë vetëm pse ka qenë kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Sulmi, me çfarë dimë deri tani, ka ndodhur në territorin e Republikës së Kosovës, qytetari i sulmuar e i plagosur i rrezikuar për jetë është shtetas i Republikës së Kosovës, gjithçka tregon që e kanë sulmuar sepse është kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç”, tha ai në një konferencë për media.

Policia, sipas Kurtit, ndodhet në vendin e ngjarjes që prej atëherë në asistencë edhe me KFOR-in edhe EULEX-in dhe po kryhen procedurat hetimore.

“Është e qartë se fqinjë ynë verior po vazhdon me sulmet e veta të cilat kanë për qëllim disiplinimin e serbëve dhe në anën tjetër destabilizimin e Kosovës”, shtoi ai.

Për këtë çështje të martën u deklaruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

E para e shtetit vlerësoi se nga informatat e para nga dëshmitarët dhe nga familjarët qytetari i rrëmbyer nga ana e xhandarmerisë serbe brenda territorit të Kosovës është plagosur me qëllim që të vritet dhe pastaj është tërhequr duke u kidnapuar.

“Dyshimi është që këtu ka pasur edhe shkelje të sovranitetit, por po ashtu edhe sulm ndaj një qytetari të Kosovës me qëllim që ai të vritet”, tha ajo.

Institucionet relevante në bashkëpunim edhe me aleatët, sipas Osmanit janë duke e hetuar saktësisht lokacionin ku ka ndodhur rasti dhe se do të dalin me një raport të detajuar.

“Nuk është vetëm provokim, por është një sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në zonën tonë kufitare, por në të njëjtën kohë rrezikon paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë”.

Në anën tjetër, autoritetet në Serbi nuk janë deklaruar rreth këtij rasti.

Sipas njoftimit të Policisë, vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës [siç quhet pika zero -0-], në afërsi të zonës së Leposaviqit, qytet në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe.

Sipas këtij institucioni, Policia e Kosovës ka bashkëpunuar me misionin e NATO-s në Kosovë [KFOR] si përgjegjës për zonën/brezin kufitar.

sqShqip