May 9, 2024
Maqedoni

RMV, në mesnatë skadon afati për paraqitjen e kandidaturave për president

Afati për dorëzimin e kandidatëve për president të shtetit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) përfundon në mesnatë. Deri më tani, katër nga shtatë kandidatët që kanë mbledhur nënshkrime nga qytetarët, i kanë dorëzuar kandidaturat e tyre në KSHZ – kreu aktual i shtetit Stevo Pendarovski i cili mbështetet nga LSDM dhe koalicioni, Stevço Jakimovski nga GROM, Maksim Dimitrievski nga ZNAM dhe Arben Taravari mbështetur nga koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, transmeton Portalb.mk.

Gordana Siljanovska-Davkova, e cila është mbështetur edhe me nënshkrime parlamentare nga VMRO DPMNE dhe koalicioni, Biljana Vankovska e mbështetur nga e Majta dhe Bujar Osmani, e mbështetur nga BDI, kanë mbledhur nënshkrime për kandidaturë për presidente.

Kandidaturat duhet të konfirmohen nga anëtarët e KSHZ-së dhe më pas ata do të bëhen zyrtarisht kandidatë për president.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të nisë më 4 prill.

Disa orë pasi kryetari aktual i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski dje konfirmoi kandidaturën e tij për president para Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh, ai është përfshirë në listën e zezë.

Në pyetjen e MIA-së nëse kjo do të ndikojë në kandidimin e tij, Komisioni Shtetëror Zgjedhor theksoi se kushtet për zgjedhjen e presidentit janë të përfshira në Kushtetutë.

Kujtojmë se dje në mesnatë përfundoi afati për kontrollimin e listës zgjedhore.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.