Rikthehet parkimi me pagesë në Tetovë! Kasami shkel premtimin për parkim falas deri në zgjidhje të problemit

Komuna e Tetovës ka lëshuar një njoftim ku tregojnë se prej sot, pas një pauze tre javore, parkimi zonal do të jetë me pagesë.

“Pas ndërprerjes disa javore të pagesës së parkingjeve në Tetovë, më datë 01 dhjetor 2021 përsëri do të fillojë funksionimi i parkingut me pagesë. Prolongimi disa javorë i pagesës erdhi për arsye të detektimit të problemeve që ka kjo ndërmarrje dhe sipas inspektimeve tona ne kemi detektuar shumë parregullsi të cilët tanimë janë të zgjidhura”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Pyetëm edhe komunë se cilat janë parregullsitë e detektuara dhe pse janë të bindur se tanimë kjo ndërmarrje nuk do të punojë me humbje. Na u përgjigjen shkurt se i qëndrojnë njoftimit të lëshuar.

“Të gjithë qytetarë që kanë parkuar në parkimin zonal në qytetin e Tetovës kanë marr një njoftim të këtillë në këtë njoftim thuhet se përsëri parkimi zonal. Në Tetovë do filloj me pagesë por çfarë kanë premtuar nga komuna e Tetovës”, raporton gazetari i TV21, Senat Zylbehari.

Kujtojmë se Kryetari i ri Bilall Kasami,tre ditë para raundit të parë të zgjedhjeve lokale nga studioja e Televizionit 21 premtoi parkim pa pagesë për të gjithë qytetarët deri në zgjidhjen e problemit të parkingjeve në Tetovë.

“Edhe unë këtë po ua them nga studioja juaj të gjithë qytetarëve të Tetovës nga moment i ardhjes në Tetovë të Bilall Kasamit deri sa nuk gjejmë parking për çdo veturë nuk do të ketë pagesë të parkingut në Tetovë”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës (14 TETOR 2021).

Ndërmarrja parkimi i qytetit në Tetovë ka borxh prej 187 mijë eurove, ndërsa nga drejtuesit e rinj e ndaluan parkimin zonal me arsyetimin se kjo ndërmarrje punon me humbje, madje Kasami tha se nëse nuk gjejnë zgjidhjen ka mundësi që edhe ta falimentojmë të njëjtën.