April 29, 2024
Maqedoni

Rihapet linja hekurudhore që lidh Prishtinën me Shkupin

Janë përuruar dy tunele dhe është rihapur linja hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë. Në ceremoninë e organizuar të shtunën, kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar ngjarjen si ndër më të rëndësishmet.

Dy tunelet, që ishin të shembur, janë të gjata njëri 262 metra dhe tjetri 122. Sipas një njoftimi të Qeverisë, projekti i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe 7 tunele të rindërtuara sipas standardeve më të larta evropiane të transportit hekurudhor.

Kurti ka thënë se vlera e punimeve në këtë segment, nga kufiri i Maqedonisë Veriut deri në Fushë Kosovë, është mbi 164 milionë euro. Ai ka shtuar se mbi 200 milionë euro është vlera që planifikohet për segmentin e mbetur nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe nga Mitrovica në kufirin verior të Kosovës.

Kryeministri ka shprehur mirënjohje për Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane për Investim dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për mbështetjen e financimit dhe rehabilitimit të kësaj linje hekurudhore, “e cila do t’i sjellë qytetarët e Kosovës edhe më pranë Bashkimit Evropian”.

“Për vite me radhë ky projekt u përballë me sfidat dhe pengesa të shumta. Ato po tejkalohen falë vendosmërisë së drejtuesve, inxhinierëve dhe punëtorëve të Hekurudhave të Kosovës — ndërmarrjes publike Infrakos, ministrisë sonë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Ekonomisë, nën ombrellën e të cilës është ndërmarrja publike Infrakos, dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, ka thënë kryeministri Kurti, duke shtuar se “hekurudha është një infrastrukturë shumë e rëndësishme që na lidh me rajonin dhe me Evropën dhe hap shtegun e rritjes e të zhvillimit që synojmë, e që fatkeqësisht për një kohë të gjatë u injorua derisa u degradua”.

Lexo më shumë Maksiq: Në Serbi nuk dëgjohet kurrë si flet Kurti e Osmani
Kurti ka theksuar po ashtu se tashmë ka filluar marrëveshja e bashkëpunimit me Shqipërinë për hekurudhën Prishtinë-Durrës. “Pastaj synojmë të ngremë portin e thatë që kthen kryeqytetin tonë në qendër të rëndësishme të tregtisë dhe të qarkullimit, pra të shpërndarjes e të akumulimit”, ka thënë ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se hekurudha e inaugurua të shtunën ofron mundësi më të mira për qytetarët dhe bizneset, transport më të lirë e më të shpejtë.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se me këtë hekurudhë Prishtina lidhet direkt me Shkupin dhe Selanikun, në korridorin e 10-të, që lidh direkt me portin e Selanikut, e në veri pastaj me korridorin e 10-të duke çuar drejt Evropës.