June 16, 2024
Maqedoni

Rexhepi: Kryetari i kuvendit duhet të jetë shqiptar

Kastriot Rexhepi nga koalicioni “VLEN” vlerëson se kreu i kuvendit duhet t’i takojë shqiptarëve. Në intervistë për Alsat, Rexhepi tha se pret që të respektohet rregulli i pashkruar që njëri nga tre pozitat kryesore në shtet të udhëhiqen nga kuadër shqiptar. Në këtë mënyrë sipas Rexhepit do të demantohen perceptimet se VMRO-ja është parti antishqiptare.

“Unë mendoj se ajo një lloj tradite, rregull i pashkruar që është vendosur konform specifikës multietnike të shtetit dhe pa marrë parasysh në numrat të cilat disponon një koalicion qeveritar, në këtë rast ata të cilët e marrin mandatin, sepse mandatar është vetëm se një pas çdo zgjedhje, që të tregojnë që një nga tre pozicionet kryesore në shtet i takojnë shqiptarëve, si popull i dytë shtetformues dhe të reflekton një realitet. Po ashtu të tregojnë edhe nga ana e tyre edhe VMRO-ja, të demantojnë të gjithë percepcionin që është krijuar që janë një parti antishqiptare dhe në këtë mënyrë të tregojnë që nuk u pengon atyre që të udhëhiqet kuvendi nga një kuadër shqiptar dhe besoj që kjo do të realizohet”, theksoi Kastriot Rexhepi nga VLEN në intervistë për Alsat.