May 11, 2024
Maqedoni

Rektori i UT-së, Zejneli e priti rektoren e Kolegjit Universum, Shqipe Gërguri – Rashiti

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli e priti në takim Rektorin e Kolegjit Universum nga Prishtina, Assoc. Prof. Shqipe Gërguri – Rashiti.

Në këtë takim, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli ishte i shoqëruar nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihu, Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Agon Memeti dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kurse Assoc. Prof. Shqipe Gërguri Rashiti shoqërohej nga asistentja e saj zonja Njomza Buza.

Ata fillimisht diskutuan për shumë çështje që kanë të bëjnë me arsimin sipëror, në pika të shkurtra prezantuan veprimtaritë e dy institucioneve dhe prioritetet që kanë për të ardhmen. Gjithashtu, temë kyçe ishte edhe mundësia për krijimin e një partneriteti mes Universitetit të Tetovës dhe Kolegjit Universum. Me këtë do të hapeshin shumë mundësi, që dy institucionet sipas nevojës të bashkëpunojnë në fushën e kërkimeve shkencore, shkëmbimin e stafit dhe studentëve, organizim dhe pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme arsimore dhe shkencore, si dhe çështje të tjera.

Në përmbyllje të këtij takimi me karakter joformal, palët ranë dakord që të angazhohen për intensifikimin e punëve drejtë realizimit sa më të shpejtë të këtij bashkëpunimi, për ta kurorëzuar me marrëveshje konkrete bashkëpunimi./KlanMacedonia