May 14, 2024
Maqedoni

Pendarovski: Kemi dëbuar 18 diplomatë rusë, nuk ishin diplomatë, ishin agjentë zbulimi!

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë ekskluzive për Zhurna ka folur lidhur me aktivitetet e propagandës ruse në Maqedoninë e Veriut para se të anëtarësohemi në NATO, por edhe më pas.

Në intervistën e realizuar në kuadër të projektit “Mos i besoni propagandës, ne jemi NATO”, Pendarovski rrëfen se si agjentë të kamufluar rusë, kanë vepruar si diplomatë duke bërë “punë të këqija” në vendin tonë.

“Prej kur u anëtarësuam në NATO ne kemi dëbuar 18 diplomatë rusë, të themi për dy vite e gjysëm, të cilët nuk ishin diplomatë, por realisht ishin agjentë zbulimi të shtetit rus dhe këtu bënin punë të këqija.

Ata e shisnin këtu narrativin politik të Federatës ruse që thoshte se sa çka u nevojitet Bashkimi Evropian. Edhe në BE edhe në NATO ne hyjmë për siguri bazike, por edhe për standard më të lartë të jetesës, për më tepër investime dhe për jetë më të mirë. Pa siguri, nuk mund të llogaritësh se mund të kesh zhvillim më të mirë. Propaganda ruse ishte më e fuqishme në Maqedoni në shtator të vitit 2018, kur realizuam referendumin për emrin. Atëherë ishte shansi i tyre i fundit kur menduan se mund të na pengojnë të anëtarësohemi në Aleancë, sikurse disa vite më parë, gjatë një cikli zgjedhor në Mal të Zi tentuan të bëjnë grushtet dhe të vijë në pushtet një garniturë tjetër politike e cila nuk do të shikojë kah perëndimi”, theksoi mes tjerash presidenti Pendarovski.

Presidenti i RMV-së ka folur edhe për pasojat që do të mund të kishte sot Maqedonia e Veriut, në rast se nuk do të anëtarësoheshim në NATO në vitin 2020.

“Supozimi im është se edhe po të mos ishin anëtare e NATO-s ne nuk do të ishim të okupuar. Kush mundet të na okupojë kur jemi të rrethuar me vende anëtare të NATO-s: Shqipëria është anëtare e NATO-s, Bullgaria është anëtare e NATO-s, Greqia është anëtare e NATO-s, Kosova ka 4-5 mijë ushtarë të NATO-s, kurse Serbia ka deklaruar neutralitet ushtarak. Nuk po them se territorialisht do të ishim të okupuar, por shumë njerëz do të shikonin nga lindja dhe nga Rusia si model. Unë them se modeli rus është krejtësisht joefikas sa i përket demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe sa i përket standardit të jetesës”, ka shtuar presidenti Pendarovski në intervistën të cilën të plotë do ta botojmë ditëve në vijim./Zhurnal