May 2, 2024
Maqedoni

Rektori i ri i UT-së Kushtrim Ahmeti filloi mandatin me homazhe para varrit të Rektorit historik, Fadil Sulejmanit dhe dëshmorit të arsimit, Abdylselam Eminit

Një ditë pas zgjedhjes së drejtuesve të rinj të Universitetit, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, Prorektori për Financa, Prof. Dr. Faton Shabani, kanë bërë homazhe para varrit të themeluesit, Rektorit të parë dhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Eminit.
Udhëheqja e UT-së ndër vite e ka vlerësuar lartë kontributin e tyre për ngritjen dhe zhvillimin e këtij Universiteti, që bëri kthesën e jashtëzakonshme në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të tëra në vendin tonë dhe më gjerë.
Udhëheqja e Universitetit është angazhuar që emrat e tyre t’i përjetësojë në historinë më të re të kombit tonë dhe këtë e ka dëshmuar me organizimin e konferencave shkencore, publikimin e Monografisë së Universitetit, si dhe ngritjen e shtatores së Prof. Dr. Fadil Sulejmanit në sheshin e Rektoratit dhe emërtimin e njërit prej amfiteatrove me emrin e Abdylselam Eminit.