May 5, 2024
Kulturë

Refleksion për refleksionet “Lulëkuqe mbi varre” të Nehat Jahiu

SHKRUAN: BAJAME HOXHA- ÇELIKU, POETE, SHKRIMTARE
Do të më pëlqente që këtë parathënie ta quaja Refleksion për refleksionet “Lulëkuqe mbi varre”, të shkrimtarit Nehat Jahiu. Pasi e lexon këtë libër, nuk bën gjë tjetër veçse bie në mendime të thella dhe të pikojnë lot, duke reflektuar mbi ato çka ke lexuar, mbi ato troje të lagura me gjak më shumë se sa me djersë, prandaj edhe titulli i librit “Lulekuqe mbi varre”, është shprehës, kuptimplotë dhe të çon menjëherë në ato vise ku shqiptarët vriten, burgosen e torturohen, sepse duan shkollën e tyre, gjuhën e tyre, tokën e tyre, tokën e të parëvë që mban shumë amanete të përcjella brez pas brezi. Ky libër, gjatë leximit të tërheq deri në fund,dhe të sjell ndërmend poezitë më të bukura të kohës sonë, frazat e të cilit godasin ku duhet gjatë tretjes së kandilit…
Në refleksionet e autorit e gjen të gjithë artin,
si prozën mjaft tërheqëse, poezinë, dhe dramën e një populli të tërë. Autori shtjellon njëherësh dy luftra, njëra luftë bëhet kundër okupatorit sllavë kurse tjetra kundër fanatizmit,ku lufton e reja me të vjetrën, e drejta me të padrejtën e përparuara me të prapambeturën. pra shkrimtari ështe në një luftë të dyfishtë. Ai pasqyron dhe mbron njëkohësisht idelet e larta kombëtare për përparim e qytetërim të plotë.
Autori, Nehat Jahiu, i njohur tashmë me botime të shumta, i shton krijimtarisë së tij edhe një libër
tjetër me refleksione, refleksione që nuk fluturojnë lart nëpër qiej ëndërrimtarë e sajues, por ecin me këmbë në tokë, duke u fokusuar afër, thellë në zemër, në plagët, në luftën, në dëshirat dhe shpresat e përditshme për shkollën, ardhmërinë e brezit të ri…
Natyrisht, në refleksionet e veta, Nehat Jahiu nuk mund të linte pa përmendur qëndresën, heroizmin e shqiptarit përballë armiqve të vet, të gjuhës, diturisë, të ardhmërisë së tij. Gjaku i derdhur është frymëzim për brezat, forcë për të ecur më përpara, për të ruajtur e çuar më tej vlerat e tij si komb i vjetër, ndoshta më i vjetri në Evropë. Me një gjuhë lakonike, konçize që të kujton se duhen lexuar edhe nënreshtat, autori sjell refleksionet e veta, refleksionet e një njeriu që duket se i ka jetuar nga afër problemet e për pasojë na sjell emocione të freskëta, të forta, të bukura, nxitëse për progres. Fokusimi i refleksioneve në një fshat të caktuar, si Dushkajë apo ndonjë tjetër, shpesh të sjell ndër mend hapësira më të mëdha që shkojnë tek hapësirat e një shteti apo kombi të tërë. Motive si dashuria, vdekja, pavdeksia, etj vijnë natyrshëm, vërtiten rreth shkollës, që është lejtmotivi i librit.
Refleksionet e Nehat Jahiut janë të lidhura mes tyre, plotësojnë njëra- tjetrën e të mbajnë të mbërthyer në ankth me lot në sy deri në fund. Lexuesi, duke lexuar këto refleksione që të bëjnë të rënqethesh, të reflektosh, do të zbulojë një anë tjetër interesante të krijimtarisë së shkrimtarit, duke e bërë më të plotë e më të arrirë atë.