April 28, 2024
KosovëShqipëri

Anulohet mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri që ishte planifikuar të mbahej në Gjakovë

Mbledhja qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ishte planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë, është anuluar.

Në këtë mbledhje ishte planifikuar takimi i kryetarëve të komunave të zonave kufitare në të dyja vendet, ku pritej të diskutoheshin që sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësi në përfitim për qytetarët.

Kreu i qeverisë shqiptare i dërgoi një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë.

Në lidhje me këtë, Kurti tha se Rama duhet t’ia dorëzojë propozimin e tij presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në takimin e Ballkanit të Hapur.

“Nuk kam dyshim që Rama që beson se propozimi i tij është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë krejt që unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë propozim t’ia prezantojë presidentit të Serbisë më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc. Pra, pa dyshim që kryeministri Rama beson që ky është model i mirë, pra do të duhej t’ia bënte si propozim Vuçiçit për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Propozimi im është që duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama që modeli i tij është i mirë, në vend se të propozohet për serbët në Kosovë, t’ia propozojë Beogradit në Serbi”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, Kurti u propozoi ndërkombëtarëve një plan prej pesë pikash për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

Ai njoftoi se ka propozuar sundim të ligjit në veri e largim të grupeve kriminale, zgjedhje të reja, monitorim të situatës e intensifikim të dialogut mes dy vendeve.

Reagon Qeveria e Kosovës: Hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme

Pas anulimit të mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke thënë se është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Telegrafin se të mërkurën, në mbledhjen e përbashkët në Gjakovë, ishte paraparë të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja.

“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato”, ka thënë Kryeziu.

Më tej ai ka thënë se takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. “Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë Kryeziu, për Telegrafin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha sot se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, që është paraparë të mbahet në Gjakovë më 14 qershor, por ai nuk ka pranuar.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.

“Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë tha se ndjen keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit.

Rama tha se homologu i tij kosovar kishte kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutonin për situatën e krijuar në veri të Kosovës.