Erion Veliaj, që pas shkakrimit të tij në fund të shtatorit, është përplasur disa herë me qeverinë. Por përmes avokatëve të tij, këtë të martë, ai regjistroi përplasjen e parë frontale me Edi Ramën.

Përmes një raporti të fundit të hartuar nga dy zyrat ligjore ndërkombëtare, Veliaj flet hapur për atë që e ai quan, persekutim politik ndaj tij.

Veliaj ka publikuar një pjesë e raportit ku ai flet për distancim të qëllimshëm të tij nga ana e qeverisë, nisur nga vendimi i Këshillit Bashkiak deri tek dekretimi i datës së zgjedhjeve për Tiranën, nga Presidenti.

“ …zhvillimet e fundit politike kanë shtuar shqetësimin se çështja e kryebashkiakut Veliaj është një përndjekje politike e hartuar për t’a hequr atë, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, nga posti i fituar në mënyrë të rregullt si Kryetar i Bashkisë. Në shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës – duke cituar paraburgimin e pavullnetshëm të kryebashkiakut Veliaj – e shkarkoi atë nga detyra”

Persekutimi politik që referohet nga Veliaj detajohet në brendësi të raportit të dy firmave legale në New York dhe një në Londër, ku thuhet se ngjarjet e shtatorit kanë ekspozuar më tej motivimet politike që qëndrojnë në themel të këtyre procedurave. Këtu veçohet fakti se Veliajt nuk iu dha e drejta që të shprehej në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, që vendosi shkrkimin e tij. Dhe këtu qëndron edhe akuza më e fortë e Veliajt. sipas tij qëllimi i qeverisë Rama ka qenë që ta burgosë, me qëllim që ta largojë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.

“… paraburgimi i pajustifikuar i kryebashkiakut Veliaj ka shërbyer si pretekst mbi të cilin autoritetet shqiptare të përpiqen t’a largojnë në mënyrë antikushtetuese nga detyra dhe t’u mohojnë qytetarëve të Tiranës të drejtën e vetëqeverisjes”

Dy zyrat ligjore të Veliajt shprehen edhe për procedurat gjyqësore të ndjekura për Veliajn, që sipas tyre nuk janë të zakonshme. Në harkun e tetë muajve, thuhet në raportin e publikuar prej Veliajt, ngjarje kyçe kanë krijuar përshtypjen e pamohueshme se hetimi penal ndaj Veliajt nga SPAK-u nuk është një hetim i zakonshëm. Sipas tyre, Kryebashkiaku Veliaj mbahet “në paraburgim që prej muajit shkurt, pavarësisht faktit se ai nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut, apo rrezik për të ripërsëritur veprat e supozuara për të cilat akuzohet.

Pas arrestimit, Veliaj në fillim akuzoi prokurorin Olsi Dado, i cili ndjek çështjen e tij. Por tani ndërsa pret dhe një vendim të Kushtetueses, duket se ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka vendosur të heqë dorashkat dhe ti dalë përballë atij që e quan fajtor për burgosjen dhe eliminimin e tij politik. Edi Ramën dhe qeverinë e tij ku dikur bënte pjesë.

sqShqip