Lideri.mk dënon sulmin ndaj gazetarit Naser Selmani

Dënojmë ashpër çdo formë të presionit dhe shtypjes së fjalës së lirë ndërsa kërkojmë nga institucionet të veprojnë.

Çdo tentim për të penguar punën profesionale të mediave dhe gazetarëve është kërcënim serioz për demokracinë e një shteti.

Andaj presioni mbi gazetarin Naser Selmani është i papranueshëm dhe është sulm mbi lirinë e medias dhe fjalën e lirë është sulm mbi demokracinë.

VLEN: Sulmi ndaj Naser Selmanit është sulm ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes

Koalicioni në pushtet, VLEN, ka reaguar ashpër ndaj sulmit të fundit ndaj gazetarit të njohur Naser Selmani, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe themeleve të demokracisë në vend.

Në një deklaratë për media, VLEN shpreh “shqetësimin më të thellë dhe indinjatën e plotë” për atë që e quan “sulm jo vetëm ndaj një gazetari, por ndaj të drejtës së qytetarëve për informim të lirë dhe të pandikuar”.

“Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj shoqërisë, ndaj institucioneve dhe ndaj sundimit të ligjit. Çdo tentativë për të frikësuar, shantazhuar apo penguar punën profesionale të mediave është kërcënim serioz për të drejtat themelore të qytetarëve,” thuhet në reagimin e koalicionit.

VLEN i ka bërë thirrje organeve kompetente që të veprojnë menjëherë, duke kërkuar hetim të shpejtë, transparent dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë. “Çdo vonesë është bashkëfajësi”, thekson më tej deklarata.

Koalicioni gjithashtu kërkon që institucionet të garantojnë mbrojtje të plotë për gazetarët dhe të krijojnë një klimë ku puna e tyre të zhvillohet lirshëm, pa presione dhe pa kërcënime.

Në fund të deklaratës, VLEN shpreh solidaritet të plotë me gazetarin Naser Selmani, duke e cilësuar lirinë e medias si një “gur themeli të çdo shoqërie demokratike” që duhet mbrojtur me çdo kusht. “VLEN në mbrojtje të lirisë, kundër dhunës dhe frikësimit!” përfundon reagimi zyrtar.

BDI reagon pas sulmit ndaj Naser Selmanit: Akt i shëmtuar dhe i papranueshëm

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj makinës së gazetarit Naser Selmani, duke e cilësuar këtë si një akt të shëmtuar dhe të papranueshëm që synon të frikësojë dhe të heshtë zërin kritik në shoqëri. Nga partia theksojnë se liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve janë themeli i çdo demokracie, ndërsa çdo tentativë për cenimin e tyre përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj vendit, njofton Top24

Në reagimin e plotë të BDI-së thuhet:
“Sulmi ndaj makinës së gazetarit Naser Selmani është një akt i shëmtuar dhe i papranueshëm, që synon frikësimin dhe heshtjen e zërit kritik. Liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve janë themeli i çdo shoqërie demokratike, dhe çdo përpjekje për t’i cenuar ato përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë në vend.
Kërkojmë nga Ministria e Brendshme dhe institucionet kompetente që të zbardhin menjëherë autorët dhe urdhërdhënësit e këtij akti kriminal, duke dhënë një mesazh të qartë se askush nuk është mbi ligjin. Çdo vonesë ose tentativë për mbulimin e rastit do të kuptohet si bashkëfajësi dhe si dështim i institucioneve për të mbrojtur qytetarët dhe lirinë e fjalës.
Shprehim solidaritet të plotë me gazetarin Naser Selmani dhe mbështesim të drejtën e tij për të punuar i lirë, pa frikë dhe pa presione. Ne qëndrojmë fuqishëm krah çdo gazetari dhe intelektuali që guxon të thotë të vërtetën dhe të mbrojë interesin publik.
Sulme të tilla nuk frikësojnë vetëm një individ, ato synojnë të trembin gjithë shoqërinë. Dhe kjo nuk do të lejohet.”

Mexhiti dënon sulmin ndaj gazetarit Naser Selmani: “Sulm ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes”

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj gazetarit të njohur Naser Selmani, duke e cilësuar këtë akt si një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias dhe demokracisë në vend.

“Shprehim shqetësimin më të thellë dhe indinjatën për sulmin e fundit ndaj gazetarit të njohur Naser Selmani. Ky akt i papranueshëm përbën jo vetëm një goditje ndaj tij personalisht, por edhe ndaj lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për t’u informuar lirshëm e pa frikë”, thuhet në reagimin e Mexhitit.

Ai thekson se sulmet ndaj gazetarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit.

“Çdo tentativë për të frikësuar apo penguar punën profesionale të mediave është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave themelore të qytetarëve”, u shpreh ai, duke kërkuar hetim të plotë të rastit dhe vënien e autorëve përpara drejtësisë.

Mexhiti gjithashtu bëri thirrje që institucionet kompetente të garantojnë mbrojtje për gazetarët dhe të krijojnë një ambient ku ata të mund të ushtrojnë profesionin pa presione, kërcënime apo dhunë.

Në fund të reagimit të tij, ai shprehu solidaritet të plotë me gazetarin Selmani dhe gjithë komunitetin e gazetarëve në vend.

“Liria e medias është themel i shoqërisë demokratike dhe duhet mbrojtur me çdo kusht”, përfundon deklarata e tij.

Sulmohet gazetari Naser Selmani, reagim i ashpër nga ASh Sela

Tentimet për të frikësuar gazetarët si duket janë bërë fjala kryesore e këtij regjimi monoetnik, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, pas dëmtimit të veturës së gazetarit Naser Selmani.

“Atyre që nuk ju pëlqen e vërteta e hidhur, shtypja që çdo ditë ju bën VMRO vetë atyre dhe gjithë shqiptarëve, mundohen ta mbulojnë duke tentuar t’i heshtin zërat që kundërshtojnë guximshëm këtë represion. Sot një sulm i ngjashëm paska ndodhur edhe ndaj gazetarit Naser Selmani, të cilit ia kanë dëmtuar veturën, metoda këto tanimë të njohura të regjimeve diktatoriale,” thuhet në reagim.

Në njoftim theksohet se gazetari Selmani nuk ka asnjë konflikt personal apo privat, prandaj “e vetmja adresë dyshimi mbeten ata që nuk ju pëlqen e vërteta e fuqishme dhe fjala e lirë e gazetarit”.

Aleanca për Shqiptarët u ka bërë thirrje autorëve të sulmeve të ndalojnë me këto metoda, duke shtuar:
“Binduni se nuk mund të frikësoni askënd, por çdo ditë e më shumë po shkaktoni neveri dhe irritim tek qytetarët. Edhe përkundër kësaj se kërcënimet tuaja nuk kanë efekt, ato nuk do t’i kalojmë në heshtje. Ta dini që një ditë të gjithë do të jepni llogari për çdo veprim, edhe për gomën e gazetarit Naser Selmani.”

Arben Taravari dënon ashpër sulmin ndaj Naser Selmanit

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari ka dalë në mbështetje të Naser Selmanit dhe kërkon zbardhjen e sulmit ndaj tij, njofton Top24
“Dënoj ashpër sulmin ndaj gazetarit Naser Selmani, sulm i cili i shtohet dhunës që është rritur ndjeshëm ndaj medias së lirë.
Kjo dhunë jep dy mezashe të qarta:
1. Jetojmë në diktaturë, fatkeqësisht;
2. Diktatura i ka ditët e numëruara.
Edhe pse pushteti merret me Naserin prapë fiton Naseri!”, tha Taravari.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i dalin në mbështetje Naser Selmanit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur ndaj gazetarit Naser Selmani në Shkup, ku automjeti i tij u dëmtua nga persona ende të paidentifikuar.

Reagimi i UGSH-së:
Tiranë më 3.08.2025
“Gazetari Naser Selmani denoncon aktin e dhunimit të automjetit të vet nga persona ende të paidentifikuar.
UGSH u bashkohet reagimeve të kolegëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët denoncojnë këtë akt si dhe vërrejmë me shqetësim disa incidente dhe akte te gjuhës kërcënuese dhe agresive ndaj gazetarëve në vendin fqinj.
Kërkojmë nga organet e policisë dhe hetimit, zbardhjen e rastit në denoncimin e kolegut dhe të qëllimit real të autorit apo autorëve të këtij episodi si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

sqShqip