Ish nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, Kadri Kryeziu ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj politikanit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, duke e akuzuar se i nënshtrohet pa kushte kërkesave të faktorit ndërkombëtar.

Përmes një reagimi publik, Kryeziu ka komentuar përkrahjen e fundit që Osmani ka marrë nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Ai ka rikujtuar qëndrimin e Borrellit ndaj Kosovës në të kaluarën, duke përmendur se Spanja nën drejtimin e tij si ministër i jashtëm ishte ndër vendet e para që e refuzoi pavarësinë e Kosovës më 2008, si dhe rolin e tij në vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës në vitin 2023.

“Nuk kam ndonjë respekt të veçantë për Bujar Osmanin si politikan, sepse më duket se është një nga ata që i thotë vetëm PO çdo gjëje që servojnë ndërkombëtarët. Kjo bindje mu përforcua edhe më shumë kur e pashë përkrahjen që paska marrë nga Borreli i Spanjës”, ka shkruar Kryeziu.

Deputetja e VLEN, Saranda Imeri, ka reaguar fuqishëm në rrjetet sociale lidhur me përkrahjen e ish-ministrit të Jashtëm të BE-së, Josep Borrell, ndaj kandidatit për kryetar të Çairit, Bujar Osmanit.

“Borrell po e përkrah Bujarin? Po ai që në 2008 ishte i pari që tha JO pavarësisë së Kosovës. Po ai Borrell që në vitin 2023 i vendosi sanksione Kosovës. Dhe pikërisht ky njeri sot na serviret si garanci për Bujar Osmanin. Ironia e madhe e politikës sonë.”, shkruan deputetja Imeri.

sqShqip