Etem Xheladini

Ndaj kujt janë këto armë? Kush po i përdor kundër kujt?

Rasti i sotëm në Kumanovë është i dhimbshëm, tronditës dhe krejtësisht i papranueshëm.
Por njëkohësisht, është një thirrje e fortë për vetëdijësim. Të shtënat ndaj një mjeku, një qytetari, një prindi, janë goditje jo vetëm ndaj një individi, por ndaj vetë nderit dhe krenarisë sonë si shoqëri, si shqiptarë.
Në vend të fjalës së urtë, po dëgjojmë armë. Në vend të prezantimit të ideve dhe programeve për zhvillim, dëgjojmë akuza, linçime publike, e etiketime si “hajna” dhe “kriminelë”, ndërsa kriminelët e vërtetë vazhdojnë të mbeten të amnistuar.
Kjo nuk është fushatë. Kjo është rrënim.
E sotmja nuk është thjesht plagosje fizike në mes të qytetit, është një plagë morale për të gjithë ne.
Kemi humbur një pjesë të dinjitetit tonë kolektiv. Dhe kjo nuk është vetëm çështje e individëve. Është pasojë e klimës që kemi lejuar të ndërtohet mes nesh.
Shqiptari gjithmonë ka pasur besë. Ka mbajtur fjalën e dhënë, me dinjitet. Edhe kur nuk është pajtuar me tjetrin, ka ditur të ruajë kodeksin njerëzor.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për kthjelltësi, për maturi dhe për një dënim të qartë e të prerë ndaj çdo forme të dhunës.
Në shoqërinë shqiptare nuk ka vend për plumbin. Sjelljet e tilla janë humbje për të gjithë, pa përjashtim.
Tani është momenti të lëmë mënjanë ndasitë politike, fetare apo personale. Si shqiptarë, duhet të thërrasim ndërgjegjen tonë kombëtare:
– Të ruajmë vlerat që na kanë
mbajtur gjallë si komb.
– Të mos lejojmë që urrejtja të bëhet
normalitet.
– Të mbështesim njëri, tjetrin.
– Të flasim me një zë kur është në
rrezik interesi kombëtar.
– Të jetojmë në paqe mes vete dhe
me bashkëqytetarët tanë të çdo
nscionaliteti, kombësie.
Nuk jemi armiq të njëri, tjetrit, armiku ynë i përbashkët është urrejtja, dhuna dhe ndarja.

sqShqip