Maqedoni

Reagim ASH Strugë – BDI partizoi edhe festivalin me të vjetër të Strugës, dënimin do ta marrin prej struganëve

Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave,

Në vazhdim po ua përcjellim reagimin e plotë nga Aleanca për Shqiptarët në Strugë, në lidhje me aktin e turpshëm të partizimit të festivalit tradicional “Këngë jeho” nga partia shqiptare në pushtet.

BDI partizoi edhe festivalin me të vjetër të Strugës, dënimin do ta marrin prej struganëve.

Një akt i turpshëm ndodhi mbrëmë në Strugë. Në vend të festës për 30 vjetorin e krenarisë sonë kulturore, festivalit “Këngë Jeho”, kjo mbrëmje u shndërrua në mbledhje të shëmtuar partiake. Ata që e degraduan këtë festival, mbrëmë erdhën të marrin mirënjohjet për aktet e turpshme të vazhdueshme të tyre. Asnjë artist dhe asnjë nga ikonat e këtij festivali tradicional nuk dukej në radhët e para sepse të gjitha karriket ishin të rezervuara për partinë, e cila ka diskriminuar për 20 vite radhazi kulturën shqiptare.

Mbrëmë paturpësisht, BDI-ja e kidnapoi vlerën e vetme kulturore të mbetur gjallë me shumë sakrifica nga shqiptarët e Strugës. 30 vite punë, 30 vite djersë, 30 vite lot, 30 vite vlerë, u zhbënë e u hodhën në erë për 30 minuta nga ata që nuk kanë dhënë as 30 gramë mund për këtë festival.

Pyesim publikisht organizatorët e këtij festivali:

1. Çfarë kontributi ka dhënë për këtë festival ndër vite, Ali Ahmeti?

2. Cili është kontributi aq i madh i Jeton Shaqirit?

3. A nuk ishte ky Ramiz Merko që në mandatin e kaluar e kishte zhytur në borxhe këtë festival? Këtë nuk mund mund ta mohoni sepse ishim ne ata që paguam të gjitha borxhet e Ramizit me shokë, duke ia rikthyer dinjitetin dhe lavdinë këtij festivali, i cili falë Ramiz Merkos dhe atyre që mbrëmë iu ndatë mirënjohje, mbahej në skena të improvizuara, të arnuara dhe pa pikë niveli.

Drejtoria e festivalit “Këngë Jeho”, fillimisht duhet t’u kërkojë falje të gjithë struganëve, të gjithë atyre që me vite e mbajtën gjallë frymën e këtij festivali, pastaj të japin llogari për punën që e kanë bërë e në fund të japin dorëheqje. Ky turp dhe ky krim, nuk duhet dhe nuk do të lihet pa dhënë llogari.

Fundi juaj politik po afrohet. Dënimin do ta merrni nga qytetarët e Strugës. Këtë mos e harroni!

Aleanca për Shqiptarët – Strugë