May 5, 2024
Maqedoni

Geer: Nismat rajonale nuk janë alternativë për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Euroambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer, në panel diskutimin e sotëm “Nismat rajonale dhe integrimi evropian”, tha se nismat rajonale nuk janë alternativë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Jemi në kohën kur kemi dinamikë të caktuar. Vazhdimisht themi se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë proces i mirë eurointegrues dhe janë shtylla e integrimit evropian. Ky vend ka një reputacion solid në rajon për promovimin e dialogut, bashkëpunimit dhe sigurisë. Duke bartur përvojat e saja në nivel ndërkombëtar, këtë e pamë edhe përmes Forumit të Prespës, ndërsa tash Maqedonia e Veriut ishte nikoqire ndërmjet Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Geer në panelin e mbajtur sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme i organizuar nga Klubi diplomatik Shkup dhe Universiteti Amerikan në Shkup, me rastin e Ditës së Diplomacisë së Maqedonisë.

Geer rikujtoi se Maqedonia e Veriut bëri progres të madh në rrugës e saj eurointegruese gjatë viteve të fundit, ndërsa bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në BE duhet të shkojnë barabartë.

“Tani diskutojmë për treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimor si element për integrim. Ajo që u miratua në Sofje në vitin 2020, do të thotë lëvizje e lirë e shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Mbulimi i aspekteve të digjitalizimit, investime dhe inovacione dhe politika industriale, e gjithë kjo mund të promovojë integrim më të mirë rajonal dhe ekonomik si integrim vital në tregun e BE-së”, u shpreh Geer.