Njoftimi se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, për sot në mesditë (24 tetor) ka thirrur mbledhje të Kryesisë Qendrore të partisë, tashmë ka nxitur analiza dhe parashikime të shumta për hapat e BDI-së para raundit të dytë të zgjedhjeve, por edhe për çështjen nëse Ahmeti më pas do të tërhiqet nga politika.

Disa portale spekulojnë se Ahmeti është afër vendimit për t’u tërhequr nga politika, thuhet pas zgjedhjeve lokale, në mënyrë që të mos dëmtojë kandidatët e AKI-së në raundin e dytë zgjedhor.

Interesi për hapat e ardhshëm të partisë dhe të liderit të saj u nxit nga heshtja e Ahmetit pas raundit të parë të zgjedhjeve. Por, sipas burimeve partiake, nga mbledhja e Kryesisë Qendrore “nuk do të dalin vendime që do t’i ushqejnë dëshirat e kundërshtarëve”.

Pritet që në mbledhje të theksohet përparësia në vota e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) ndaj kundërshtarit VLEN, si dhe të jepen udhëzime për një mobilizim të fuqishëm para raundit të dytë zgjedhor.

Osmani: Unitet dhe vendosmëri

Mesazhe të ngjashme u përcollën edhe nga publikimi i nënkryetarit të BDI-së dhe kandidatit për kryetar të Çairit, që pësoi humbje në raundin e parë të zgjedhjeve, Bujar Osmani.

“Çairi ishte një mësim, dhe çdo mësim pranohet me dinjitet. E mora përgjegjësinë time dhe i urova fituesit, sepse edhe në këto rrethana dua të lë pas vetes trashëgimi të kulturës politike, ashtu siç veprova gjatë gjithë fushatës. Por arroganca e disa në VLEN është bërë e neveritshme. Për këtë arsye nuk pranoj që të shkelet mbi rezultatin e BDI-së dhe të koalicionit”, – shkroi Osmani në profilin e tij në Facebook.

Ai iu referua edhe rezultatit të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në raundin e parë të zgjedhjeve, duke vlerësuar se “me 114 mijë vota, AKI mbetet forca më e madhe dhe përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve”.

Osmani shprehu mbështetje të pakushtëzuar për Ahmetin në një kuptim më të gjerë – si ideolog dhe lider të shqiptarëve.

“Ali Ahmeti është dhe mbetet ideologu dhe lideri i padiskutueshëm i shqiptarëve. Fyerjet ndaj tij nuk janë shenjë force politike, por tregues i dobësisë morale. Këto sulme të ulëta kanë një qëllim – të sjellin demoralizim para raundit të dytë – por do të ndodhë e kundërta: unitet dhe vendosmëri. Shqiptarët dhanë mbështetje masive në raundin e parë, ndërsa në të dytin duhet ta konfirmojmë kush e mban vërtet vullnetin e tyre politik. AKI mbetet zëri i shqiptarëve, ndërsa Ali Ahmeti, shtylla e tyre morale dhe ideologjike”, – porositi Osmani, duke i bërë thirrje të gjithë shqiptarëve ta konfirmojnë këtë me dinjitet dhe në mënyrë masive në raundin e dytë.

Mbështetje për kandidatët e vet

Fitorja e kryetarit të parë shqiptar të komunës Çashkë nga radhët e AKI-së (pasi KSHZ i hodhi poshtë ankesat) interpretohet si erë në krah dhe motivim shtesë për kandidatët e tjerë të koalicionit.

Kandidati i tyre për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, publikoi një fotografi nga takimi me liderin e BDI-së, me mesazhin:

“Të angazhuar, të përkushtuar si gjithmonë, drejt fitoreve të reja!”

Ndërsa nga partitë vijnë thirrje për mobilizim masiv, veçanërisht në bllokun shqiptar, aty nuk mungojnë kritikat se disa kandidatë të VLEN-it kanë fituar me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së, ndërsa kritikohet edhe paralajmërimi se VLEN do të mbështesë kandidatë që nuk janë etnikisht shqiptarë.

Një pjesë e qytetarëve në rrjetet sociale e kritikojnë këtë narrativë të mobilizimit mbi baza etnike, duke e konsideruar të padenjë për një shoqëri qytetare.

Kryetari i sapozgjedhur i Çairit, Izet Mexhiti, në një intervistë për TV Alsat-M, vlerësoi se BDI po kërkon justifikime për humbjen në zgjedhjet lokale, jo vetëm në Çair, por edhe në komuna të tjera.

“Nuk ka asgjë të pazakontë – shikoni Haraçinën, ku 100 për qind e popullsisë është shqiptare. Ku është këtu roli i VMRO-së?”, pyeti Mexhiti.

Ai parashikon se AKI do të fillojë të shpërbëhet pas zgjedhjeve dhe se humbësit më të mëdhenj të zgjedhjeve lokale do të jenë Ali Ahmeti dhe BDI, me fitore vetëm në tri komuna rurale.

Humbje për shkak të vetvetes

Ndërkohë që po llogaritet kush fitoi më shumë e kush më pak, mediat në gjuhën shqipe po rishpërndajnë kolumnën e gazetarit dhe analistit Baton Haxhiu, shkruar para zgjedhjeve, e cila pas rezultateve është cilësuar si parashikuese dhe tashmë si dokument për mungesën e vetëdijes kolektive shqiptare në një moment kyç.

Në kolumnën me titull “Ali Ahmeti: Fundi që e shkroi vetë”, Haxhiu shkruan se Ahmeti nuk e pa fundin, por ndihmoi që ai të ndodhte përmes kompromiseve që ka bërë ndër vite.

“Ali Ahmeti sot është bërë simbol i pafuqisë që e meritojnë vetëm ata që nuk kanë guxim të largohen nga skena në kohën e duhur. Sepse ai nuk humbi nga kundërshtarët e vet, por nga versioni më i dobët i vetvetes. Nga frika për të ndërtuar trashëgimi në vend të pushtetit. Nga obsesioni për të qenë i fundit që flet, edhe kur nuk ka më kush ta dëgjojë.
Ndërsa shqiptarët hynë në një cikël të ri – të ndarë, të zhgënjyer dhe të pasigurt – historia nuk do ta falë mungesën e orientimit në këtë moment kritik. Dhe orientimi që mungon ka një emër: Ali Ahmeti”, shkruan ndër të tjera Haxhiu, duke vlerësuar se Ahmeti nuk është më figurë historike dhe se emri i tij nuk i tremb më as Mickoskin, as bashkëpunëtorët e tij./DW

sqShqip