Drejtori dhe pronari i portalit “Tetova Sot”, Rami Mislimi, vlerëson se BDI-ja aktualisht nuk ka një figurë organizative dhe mobilizuese të krahasueshme me Adnan Azizin e VLEN-it.
Duke komentuar deklaratën e Bujar Osmanit se BDI ka diskutuar me VMRO-DPMNE-në për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme vitin e ardhshëm, Mislimi thotë se, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, BDI-ja do të pësonte humbje.
Sipas tij, një ndër arsyet kryesore është mungesa e një figure që punon në terren, mobilizon strukturat dhe e vendos interesin e partisë mbi interesin personal.
Mislimi e veçon në këtë drejtim Adnan Azizin, për të cilin thotë se është vazhdimisht aktiv në terren dhe në kontakt me qytetarët, duke punuar për forcimin e VLEN-it edhe jashtë orarit të zakonshëm politik.
“VLEN-i e ka Adnan Azizin, ndërsa në BDI kam gati dy ditë që mendohem se cili person do t’i bënte ballë Adnan Azizit në rrafshin e organizimit të partisë, si dhe në aspektin e paraqitjes publike nëpërmjet rrjeteve sociale”, shprehet Mislimi.
Ai thotë se Azizi nuk është lider i VLEN-it, por një aktivist politik që, sipas tij, e dëshiron dhe e promovon partinë me një angazhim të jashtëzakonshëm.
“Adnan Azizi nuk është lider i VLEN-it, por e do VLEN-in, dikur BESËn, më shumë se lideri, andaj edhe punon”, shkruan Mislimi.
Në analizën e tij, Mislimi e krahason këtë qasje me situatën në BDI, duke pretenduar se në këtë parti mungon një figurë që të punojë pa pritur përfitim personal apo familjar në këmbim të angazhimit politik.
“Derisa nuk ka një të tillë që e do partinë më shumë se interesin personal, atëherë BDI-ja është larg fitores”, thekson ai.
Mislimi shton se qytetarët sot, sipas tij, nuk votojnë më thjesht nga inati ndaj një partie tjetër, por bazuar në punën dhe ofertën politike.
Në fund, ai ironizon edhe kritikat që, sipas tij, mund t’i drejtohen Adnan Azizi, duke thënë se pavarësisht akuzave apo interpretimeve të ndryshme politike, angazhimi i tij në terren është realitet që shihet çdo ditë.
“Derisa në BDI nuk ka një Adnan Azizi, mirë është që zgjedhjet të shtyhen më tutje”, përfundon Mislimi.

