May 5, 2024
Shqipëri

Rama thotë se vonimi i Asociacionit të komunave serbe është gabim, i brengosur edhe për kishën serbe

Por kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili në Beograd mbylli turin Ballkanik, në konferencë të përbashkët me presidentin serb Aleksandar Vuçiq theksoi se beson që zvarritja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është gabim strategjik. Rama gjithashtu e quajti gabim edhe këmbënguljen për t’i mbajtur në objektet bosh krerët e katër komunave në veri.

“Tërheqja zvarrë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një gabim strategjik dhe poashtu është një gabim strategjik edhe tërheqja zvarrë e krijimit të kushteve për serbët e Kosovës për të ushtruar të drejtat e tyre fetare dhe që kisha të funksionojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, ashtu sikur unë besoj se këmbëngulja për të mbajtur në godina bosh të mbushura me policë kryetarë komunash të cilët u zgjodhën në kushtet e një bojkoti, por nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë duke u kthyer në pengesë për zgjidhjen është një gabim strategjik. Këto i kam thënë publikisht, i them edhe këtu. Nga ana tjetër unë shpresoj që presidenti dhe Serbia do ta thotë qartë dhe shkoqur që në momentin që hapet rruga për zgjedhje aty do të mbahen zgjedhje dhe do të garantohet pjesëmarrja”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë. /Alsat.mk