‘Rama sillet si zëdhënës i BDI’
Nga Isuf Kadriu, EVROPA E LIRE
Ftesa që kryeministri shqiptar, Edi Rama, u ka bërë drejtuesve të partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut për një takim në Tiranë, të martën në mbrëmje, ka nxitur reagime të shumta në Shkup, nga partitë politike, njohësit e çështjeve politike dhe opinioni më i gjerë.
Në ftesën dërguar partive politike, kreu i Qeverisë shqiptare nuk ka përmendur arsyet e takimit, por jozyrtarisht, partitë më të vogla thonë se kanë marrë sinjale se çështjet e integrimit evropian dhe ndryshimet në Kushtetutën maqedonase pritet të jenë pjesë e diskutimeve.
Por, disa këtë takim e shohin si “nevojë të Ramës për promovimin e tij si lider rajonal dhe forcimin e pozitës së tij në Shqipëri”. Të tjerët mendojnë se “kryeministri Rama me këtë veprim synon të luajë rolin e zëdhënësit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për të bërë presion mbi partitë tjera që të mos rreshtohen në krah të opozitës maqedonase për rrëzimin e Qeverisë maqedonase”.
Partitë politike maqedonase, gjithashtu, janë të ndara në vlerësime. Për Lidhjen Social-Demokrate në pushtet (LSDM) “Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë (së Veriut) dhe i popullit maqedonas, ndërsa me Shqipërinë nuk kemi çështje të hapura. Andaj, çdo takim, formal apo joformal, që është në interes të të dyja vendeve dhe të dy popujve është për ne në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian”.
VMRO DPMNE-ja që është në opozitë, vlerëson se takimi në Tiranë bëhet me kërkesë të LSDM-së, e cila sipas nënkryetarit të VMRO-së, Aleksandër Nikollovski,“është në panik për rrëzimin e Qeverisë dhe dështimin e ndryshimeve në Kushtetutë.
“LSDM-ja dhe Dimitar Kovaçevski po kërkojnë ndihmë për të shpëtuar, andaj edhe jashtë të gatshëm të pranojnë gjithçka në dëm të popullit maqedonas përmes agjendave të ndryshme vetëm që ta shpëtojnë veten e tyre”, deklaron Nikollovski.
Drejtuesit e partive politike shqiptare, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti; i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari; i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe i Alternativës, Afrim Gashi do të marrin pjesë në takim.
Ndërkohë, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, ka thënë se pranon të takohet me kryeministrin Rama, por jo edhe të ulet në tavolinën e njëjtë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Bilall Kasami që është edhe kryetar i Tetovës, komunës më të madhe të banuar me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, akuzon qeverinë për “korrupsion dhe krim të organizuar dhe defaktorizimin e shqiptarëve”, ndërsa zgjidhjen e krizës e sheh te dorëheqja e Qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme.
Partitë tjera nuk e kanë komentuar ftesën dhe agjendën e takimit me kryeministrin Edi Rama. Por, për deputetin e pavarur, Skënder Rexhepi, “Edi Rama po sillet në cilësinë e zëdhënësit të BDI-së, njëjtë sikur në takimin e fundit në janar të vitit 2017”.
“Është shumë e qartë që Edi Rama nuk ka legjitimitet t’i mbledhë partitë shqiptare për çështjet që i prekin shqiptarët këtu në Maqedoni [të Veriut]. Kjo pasi, edhe pas këtij takimi, do të rezultojë ndonjë trik i radhës…”, ka shkruar Rexhepi në rrjetin social Facebook.
Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, takimin në Tiranë e sheh në favor të Ramës, i cili, sipas tij, synon të promovojë veten si një faktor rajonal.
Nga ky takim partitë shqiptare jo që nuk do të përfitojnë asgjë, përkundrazi ato paraqiten pa ndonjë peshë dhe pa ndonjë ndikim në skenën politike, thotë më tej Neziri.
“Këto takime nuk mund të sjellin asnjë përftim politik për përdorim të brendshëm për asnjërën nga partitë politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut. E them këtë pasi ftesat kolektive për vizitë në Tiranë të këtij lloji, flasin për një qasje paternaliste të kryeministrit Rama kur bëhet fjalë për liderët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Kjo qasje paternaliste dihet se ngërthen në vetvete një lloj kufizimi të autonomisë së vendosjes politike. Mënyra se si i fton ai në Tiranë ka një simbolikë dominuese të tijën, një simbolikë që mund të shkojë në favorin e tij, por në dëm të partive politike”, vlerëson Neziri.
Ai vlerëson se sikur Rama të ketë synim afrimin e liderëve shqiptarë apo edhe ndihmën e tij për agjendën evropiane, do të ishte mirë ai të bënte një vizitë në Shkup dhe të organizonte një takim me të gjithë apo t’i takonte veçmas.
Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike, takimin në Tiranë më shumë e sheh si përpjekje për ruajtjen e shumicës parlamentare që tashmë po rrezikohet nga përçarjet brenda BDI-së, andaj edhe Rama mund t’i bëjë favore kreut të saj, Ali Ahmeti, duke manifestuar mbështetjen apo nevojën për unitet në emër të integrimeve evropiane.
“Ky takim mund të shihet edhe si një shërbim që mund t’i bëhet Ahmetit nga ana e Ramës në kohën kur Bashkimi Demokratik për Integrim po përballet me pakënaqësi në radhët e saj. Kjo pakënaqësi mund të rrezikojë edhe stabilitetin e Qeverisë, andaj BDI-ja synon që t’i bashkojë partitë tjera politike shqiptare pasi në të kundërtën edhe ato do të jenë kundër saj. E gjithë kjo do të bëhet në emër të integrimit evropian apo politikave gjeostrategjike të vendit. Por, kjo do të jetë e vështirë pasi partitë opozitare vështirë se do të pranojnë të jenë në rol të tillë ”, thotë Arsovski.
Liderët e partive politike shqiptare një takim të tillë me kryeministrin Edi Rama e kishin realizuar më 7 janar të vitit 2017. Pas këtij takimi ata kishin miratuar një deklaratë të përbashkët, e cila nga opinioni maqedonas ishte quajtur si “Platforma e Tiranës”, që sipas tyre kishte për synim rrënimin e shtetësisë maqedonase.
Partitë shqiptare, siç thuhej në deklaratën që ishte miratuar atëherë, angazhoheshin për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase dhe zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike.
Partitë, gjithashtu, angazhohen për “debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike”.