Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni dolën së bashku në një konferencë për shtyp.
Në qendër të diskutimeve u vendos marrëveshja për emigrantët, ku kryeministrja italiane, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, theksoi se marrëveshja me Shqipërinë nuk është një veprim i izoluar, por pjesë e një vizioni më të gjerë europian për menaxhimin e migracionit.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama, ka vlerësuar mbështetjen e Italisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni pranoi se opozita në Itali e sheh këtë nismë si joefikase, për shkak të mendimeve të ndryshme mbi mënyrën e administrimit të flukseve migratore, por shtoi se pavarësisht debatit të brendshëm, në nivel europian ekziston një grup shtetesh që mblidhen rregullisht para çdo takimi të Këshillit Europian për të diskutuar mbi migracionin.
Ky grup, sipas Melonit, është krijuar pikërisht për të gjetur zgjidhje novatore dhe për të ndërtuar modele të reja, si ai i protokollit Itali–Shqipëri, për trajtimin e flukseve migratore.
Meloni dhe Rama dhanë përgjigje të plota, duke mbrojtur protokollin dhe duke e cilësuar si një hap historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Giorgia Meloni: “Një nismë novatore për menaxhimin e migracionit”
Kryeministrja italiane u ndal te kritikat e opozitës në Itali, duke theksuar se kjo marrëveshje është pjesë e një vizioni më të gjerë europian:
“E dimë mirë që opozita mendon se kjo nuk është një nismë efikase, sepse ka mendime të ndryshme për menaxhimin e flukseve të emigracionit. Por ajo që dua të them është se, pavarësisht se në Itali kjo gjë diskutohet shumë, në Evropë ekziston një grup me shumicën e shteteve anëtare që mblidhet para çdo takimi të Këshillit Europian për të folur për migracionin. Ky grup nis pikërisht nga vullneti për të gjetur zgjidhje novatore për trajtimin e flukseve.”
Meloni shtoi se modeli Itali–Shqipëri po shihet si shembull për t’u përsëritur:
“Është një grup që u krijua për t’u përgjigjur dhe për të përsëritur modele si ky protokoll. Ne e dimë pse disa nisma nuk kanë funksionuar deri tani, por jam e bindur se ky bashkëpunim do të japë rezultate kur të hyjë në lojë pakti i ri për azilin, ku do të studiohen zgjidhjet më të mira.”
Edi Rama: “Marrëveshjen me Italinë do ta bëja 100 herë”
I pyetur nga gazetarët nëse është penduar për marrëveshjen e emigrantëve, kryeministri shqiptar u përgjigj me tone të forta:
“Atëherë ju më pyesni nëse jam penduar që kemi bërë këtë protokoll bashkëpunimi për emigracionin me Italinë. Do ju them: si nuk jeni penduar ju që prej dy vitesh bëni të njëjtën pyetje? Si mund të pendohem unë, kur kam bërë edhe shumë gjëra të tjera me kryeministren tuaj?”
Rama e cilësoi ditën e nënshkrimit të marrëveshjeve si historike, sikurse u shpreh ai “Sot u fol për shumë projekte të përbashkëta, që nuk janë vetëm të mira për Shqipërinë, por edhe për Italinë. Projekti i interkonjeksionit nënujore po vazhdon më tej dhe kjo do të thotë që italianët, në një kohë të arsyeshme, do ta shohin të reflektuar në faturat e tyre të energjisë elektrike. Po ashtu, kompanitë italiane do të investojnë më shumë dhe do të kenë më shumë mundësi për shpërndarjen e punonjësve të tyre.”
Në lidhje me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, kryeministri Edi Rama theksoi se nuk është e drejtë të shihet gjithmonë drejt Shteteve të Bashkuara për blerjen e armatimeve, pasi edhe Italia ka kapacitete të larta dhe prodhon pajisje ushtarake të ekselencës.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi me Italinë në këtë sektor jo vetëm që forcon marrëdhëniet mes dy vendeve, por gjithashtu i jep mundësi Italisë të bëjë ekonomi për veten duke promovuar produktet e saj.
“Nuk mund të themi pse të mos blejmë armatime nga amerikanët, por duhet të themi se edhe Italia vepron në këtë fushë me produktet e veta të ekselencës, duke bërë ekonomi për veten.”
Duke iu rikthyer çështjes së marrëveshjes për emigrantët, kryeministri Edi Rama u shpreh me vendosmëri se nuk ka asnjë pendesë për protokollin e nënshkruar me Italinë.
Ai theksoi se kjo marrëveshje është aq e rëndësishme sa do ta kishte bërë “100 herë”, edhe pse kundërshtarët do të vazhdonin po aq herë të ishin kundër.
Rama shtoi se një nismë e tillë nuk do të ishte e mundur me vende të tjera, duke nënvizuar se arsyeja kryesore është fakti se “ato nuk janë Italia”, çka sipas tij përbën dallimin thelbësor në këtë bashkëpunim.
“Marrëveshjen me Italinë unë do ta kisha bërë 100 herë, edhe pse ju 100 herë do të vazhdonit të ishit kundër. Me vendet e tjera kurrë. Kur më pyesin pse, u them: sepse ju nuk jeni Italia, dhe ky është problemi.”
/rtsh.al/

