May 28, 2024
Rajon - Botë

Radioja e ushtrisë izraelite: Operacioni tokësor në Gaza do të shtyhet deri në ardhjen e përforcimit amerikan

Radioja e ushtrisë izraelite njoftoi se Tel Avivi ka vendosur që të “shtyjë luftën tokësore” kundrejt Rripit të Gazës deri në ardhjen e forcave shtesë të SHBA-së, transmeton Anadolu.

“SHBA-ja ka informuar Izraelin se planifikuar të dërgojë përforcime të forcave amerikane në Lindjen e Mesme si përgatitje ndaj manovrës tokësore me shqetësimin se Irani mund të rrisë sulmet e tij kundrejt forcave të saj në rajon”, thuhet në lajmin e publikuar në radion e ushtrisë izraelite.

Po ashtu në lajm bëhet e ditur se sipas parashikimeve është rënë dakord që të pritet deri në dërgimin e forcave shtesë të SHBA-së dhe për shtyrjen e operacionit tokësor.

Teksa njoftohet se shtyrja e operacionit nga zyrtarët izraelitë nuk është arsyeja e vetme, arsyet tjera u renditën si rritja e gatishmërisë operacionale të forcave ushtarake, gjetja e një zgjidhjeje për çështjen e pengjeve në duart e Hamasit dhe mundësia e zbatimit të marrëveshjeve shtesë për lirimin.

Më tej në lajm thuhet se dërgimi i më shumë forcave amerikan në Lindjen e Mesme sigurisht që është në interesin e Izraelit dhe se këto forca do të ndihmojnë për veprim të përbashkët ndaj sulmeve që mund të rriten në fazat e ardhshme të luftës.

Ndërkohë Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, në një deklaratë tha se “Operacioni tokësor ndaj Gazës mund të zgjasë me muaj”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një program ku mori pjesë dje në kanalin televiziv NBS, njoftoi se SHBA-të janë të gatshme të mbrojnë forcat dhe personelin amerikan në Lindjen e Mesme në rast të përshkallëzimit të konflikteve mes Izraelit dhe Palestinës.

Blinken, theksoi se SHBA “pret që konflikti Izrael-Palestinë të përshkallëzohet me ndërhyrjen e Iranit” dhe deklaroi se administrata Biden është e “gatshme të kundërpërgjigjet nëse personeli amerikan ose forcat e armatosura në rajon bëhen objektiv i ndonjë veprimi armiqësor”.