Radev ‘mbyllë’ derën për Shkupin – Gerxhikov: Ndryshojmë qëndrim me disa kushte

Maqedoni

Debati presidencial në Bullgari nuk ka lënë pa prekur edhe çështjen me Maqedoninë e Veriut, shkruan Alsat.

Presidenti aktual dhe kandidat për mandatin e dytë Rumen Radev deklaron se përderi sa Shkupi nuk zbaton kërkesat bullgare, dera për fillimin e negociatave për integrimin evropian mbetet e mbyllur.

“Unë habitem se pse vazhdon të ketë spekulime se mund të ketë ndonjë kompromis për hapjen e dyerve për fillimin e negociatave para se ne të kemi dëgjuar garanci të qarta dhe të pakontestueshme. Dua t’i siguroj qytetarët bullgarë dhe të them se Bullgaria nuk mundet të thotë “po” para se të ndërpritet shkelja e të drejtave njerëzore të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, para se të plotësohen kriteret e Kopenhagës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, para se t’i jepet fund debullgarizimit sistematik që vazhdon me dekada, të respektohet trashëgimia kulturore e bullgarëve dhe të çrrënjoset gjuha e urrejtjes”, tha presidenti bullgar Rumen Radev.

Ky duket të jetë një qëndrim i unifikuar. Kundërkandidati i Radevit, Mihail Gerxhikov, ka qëndrim të ngjashëm, respektim të plotë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga ana e Maqedonisë së Veriut.

“Që të lëshojmë pe nga ky qëndrim, ne duhet të fitojmë diçka tjetër. Shembull, të njihet pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut, të shihen disa përfitime ekonomike në vend të çështjeve që i numërova ose të themi që komisioni historik ka vetëm rol ndihmës”, u shpreh Mihail Gerxhikov, kandidat për president në Bullgari.

Radev ishte kandidati me më shumë vota në rrethin e parë dhe pritet të jetë fitues i zgjedhjeve presidenciale për mandatin e dytë. Shkupi kishte deklaruar së fundmi se ka shpresa për dhënien e datës në dhjetor pasi partia fituese në zgjedhjet parlamentare në Bullgari dhe që pritet të formojë qeverinë e ardhshme bullgare kishte dhënë mesazhe inkurajuese për një zgjidhje të mundshme mes dy vendeve. Megjithatë deri sa nuk ka Qeveri në Sofje dhe deri sa nuk ka mbaruar procedura për zgjedhjet presidenciale, negociatat politike mbeten pezull. / Alsat.mk

Related posts

Qeveria: Këto ditë jemi dëshmitarë të veprimeve dhe deklaratave nga Bullgaria që qytetarët e Maqedonisë nuk i shohin si miqësore

Lideri2 MK

I riu nga Sllupçani i Kumanovës bën shqiponjën në mes të Zveçanit

Lideri2 MK

Sashko Georgiev u zgjodh kryetar i Këshillit Gjyqësor në Maqedoni

Lideri2 MK