May 2, 2024
Rajon - Botë

Osmani fillon vizitën me nderime ushtarake nga Forcat e Armatosura të Kanadasë

Presidentja, Vjosa Osmani sot gjatë ditës së parë të vizitës në Kanada ka dekoruar Forcat e Armatosura të Kanadasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999 si dhe për shërbimin e tyre mbi dy dekada.

Osmani e ka vlerësuar lart rolin e forcave paqeruajtëse kanadeze për ndërtimin e një shoqërie të sigurt në periudhën e pasluftës në Kosovë. Sipas saj, krahas ushtrive të kombeve të tjera, ushtarët kanadezë e bën të mundshme lirinë e Kosovës, ndaj populli do t`u jetë përjetë mirënjohës.

”Në takim me ministren e mbrojtjes, Anita Anand, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën për bashkëpunim më sferën e sigurisë, duke përmendur zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, e cila sipas saj po shndërrohet me hapa të sigurt në ushtri moderne, falë koordinimit me partnerët strategjik. Në këtë kontekst, ajo ka përmendur programin e mbrojtjes: MTCP- Programi i Bashkëpunimit në Stërvitje Ushtarake, duke potencuar mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së Kosovës”, bëhet e ditur në komunikatë.

Përveç falenderimeve për mbështetje nga Kanada, Osmani ka theksuar tendencat negative të ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, duke potencuar mundësitë për destabilizim edhe nga retorika nxitëse dhe veprimet e shtetit serb.